Zgjerimi i BE-së në fokus të diskutimeve në Berlin
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë në panelin “Growing Europe: A Case for Enlargement”, të organizuar nga United Europe në Berlin, krahas Ministrit për Evropën në Ministrinë Federale të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Pas takimit dypalësh që Kryenegociatori zhvilloi në mëngjes me Ministrin Krichbaum, në mbrëmje ata ishin bashkë në panelin për zgjerimin, krahas Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe studiuesit të lartë nga instituti DGAP, Milan Nič.
Diskutimi u përqendrua në të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, reformat e nevojshme brenda BE-së dhe rëndësinë e shfrytëzimit të momentit aktual për avancimin e procesit.
Një nga mesazhet qendrore ishte rikujtimi se projekti evropian është, para së gjithash, një projekt paqeje, ndërsa zgjerimi mbetet i lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Në këtë kontekst, Kryenegociatori Zulfaj theksoi rëndësinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në BE, duke nënvizuar nevojën që progresi demokratik, ekonomik dhe institucional i vendit të reflektohet në hapa konkretë në procesin e anëtarësimit.
Ai theksoi se pozicioni aktual i Kosovës në procesin e zgjerimit nuk e reflekton progresin e arritur, dhe kërkoi që Gjermania, si shtet me ndikim brenda BE-së, të luajë rolin e saj në shtyrjen përpara të unitetit të BE-së për vendimmarrje.
Në pyetjen e moderatorit Mörseburg nëse BE-ja po humb kredibilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të vonesave në procesin e zgjerimit, Kryenegociatori theksoi se kredibiliteti i BE-së humbet nëse nuk vlerësohet para së gjithash progresi në vlerat themelore të BE-së, të mishëruara në nenin 2 të Traktatit. N
ë këtë drejtim, mosnjohja e progresit që Kosova ka bërë e dëmton vetë kredibilitetin e BE-së.
Paneli ishte mundësi e mirë për të përçuar mesazhin se statusi kandidat dhe hapja e negociatave janë merituar nga Kosova, dhe se BE-ja duhet të veprojë.



