Raporti i BE-së: Qeveria ishte shumicën e kohës në detyrë, deputetët mbajtën jashtëligjshëm edhe pozita në ekzekutiv

04 nëntor 2026 | 14:45

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2026 ka evidentuar probleme në funksionimin e institucioneve, përfshirë mungesën e mbikëqyrjes parlamentare, vonesat në reforma, vështirësitë në koordinimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në strukturat e qeverisjes.

Sipas raportit, Qeveria ishte në detyrë gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, gjë që kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore. Funksionet e plota qeveritare u rikthyen vetëm për një periudhë të shkurtër pas formimit të Qeverisë në shkurt 2026 dhe sërish në shtator, pas përfundimit të periudhës raportuese.

Komisioni Evropian ka vërejtur gjithashtu se një numër i konsiderueshëm i deputetëve të rinj të zgjedhur vazhduan njëkohësisht të ushtronin funksione në ekzekutiv. Sipas raportit, kjo praktikë duket se nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

Ndonëse transparenca në vendimmarrje u ruajt formalisht, mungesa e mbikëqyrjes parlamentare dobësoi mekanizmat e llogaridhënies. Ndërkohë, autoritetet e pavarura rregullatore dhe Institucioni i Avokatit të Popullit vazhduan punën, por ndikimi i tyre i përgjithshëm mbeti i kufizuar.

Raporti thekson se koordinimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal vazhdon të jetë kryesisht reaktiv, duke ndikuar në zbatimin e përgjegjësive të deleguara dhe planifikimin e zhvillimit lokal.

Sa u përket komunave në veri, Komisioni Evropian e ka cilësuar zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të Kosovës në dhjetor 2025 si hap të rëndësishëm drejt rikthimit të qeverisjes lokale përfaqësuese. Megjithatë, udhëheqjet e reja përballen me pengesa, përfshirë mungesën e qasjes në arkivat e plota dhe problemet me stafin e trashëguar nga administratat e mëparshme, i cili, sipas raportit, nuk e zotëron gjuhën e komunitetit shumicë dhe nuk pasqyron siç duhet përbërjen etnike të këtyre komunave.

Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe komunave me shumicë serbe mbeten të tensionuara. Shqetësimet lidhen me respektimin e kërkesave gjuhësore, pengesat procedurale dhe rastet kur Policia dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë kufizuar ushtrimin e kompetencave komunale ose realizimin e aktiviteteve të miratuara nga autoritetet lokale.

Një tjetër çështje e evidentuar është përfaqësimi i pamjaftueshëm i komuniteteve joshumicë në strukturat e qeverisjes, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Në këtë drejtim, raporti veçon emërimin e dy zëvendësministrave nga komuniteti serb i Kosovës në mars 2026, pa miratimin formal të shumicës së deputetëve serbë, siç kërkohet me Kushtetutë. Sipas Komisionit Evropian, kjo ka ngritur shqetësime për përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe ka dobësuar të drejtat e tyre kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Arbërije Xhemajl Fazliu, nga Prishtina shpall të pavlefshme Diplomën e…