Prokuroria Speciale shqyrton dosjen për mosveprimin e policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e Arlinda Zekajt
Prokuroria Speciale ka pranuar para rreth tri ditësh dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Dosja është në shqyrtim, ndërsa hetimi i kësaj prokurorie përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve për neglizhencë të mundshme, e cila mund të ketë ndikuar në kryerjen e vrasjes.
Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media. Ai ka sqaruar se kompetenca e kësaj prokurorie lidhet vetëm me dyshimet ndaj zyrtarëve, ndërsa pjesët e tjera të rastit po trajtohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Speciale para rreth tri ditësh ka pranuar dosjen dhe tashmë e ka në shqyrtim, sa u përket dyshimeve ndaj zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët eventualisht mund të jenë të dyshuar për mosveprim dhe neglizhencë, si pasojë e së cilës mund të ketë ardhur deri te kryerja e vrasjes. […] Ndërsa pjesët e tjera të rastit janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, ka deklaruar Paca.
Arlinda Zekaj u vra më 26 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj. Para se të vritej, ajo kishte raportuar dhunën në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Vrasja e saj nxiti protesta në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët kërkuan drejtësi për viktimën dhe llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar rastin.
Lidhur me rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Masa janë ndërmarrë edhe ndaj kryeprokurores dhe prokurores së Pejës, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.



