Murseli jep detaje nga aksioni i prokurorisë dhe AKI-së: 37 kilogramë heroinë, para, veturë dhe 10 telefona të sekuestruar
Detaje të reja janë bërë publike për aksionin e realizuar nga Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe AKI-ja, ku janë arrestuar pesë persona dhe janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Reshan Murseli nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve ka bërë të ditur se droga është gjetur në disa lokacione dhe ishte e paketuar në forma të ndryshme.
Gjatë bastisjeve janë zbuluar 62 paketime me peshë të përgjithshme mbi 37 kilogramë, përfshirë edhe një kilogram substancë të dyshuar heroinë në banesën e të dyshuarit me inicialet I.S., shtetas turk. Një pjesë e drogës ishte kamufluar në një pako letre me produkte komerciale.
Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një makinë për peshimin e drogës, për të cilën dyshohet se do të përdorej për shtimin e sasisë dhe përpunimin e narkotikëve.
Murseli ka bërë të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 5 mijë e 300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, 10 telefona celularë dhe një DVR i kamerave.



