Raporti i KE-së për Kosovën: Ndikimi politik dhe ekonomik vazhdon ta pengojë pavarësinë e gjyqësorit

04 nëntor 2026 | 13:37

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin vlerëson se vendi nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit. Në raport theksohet se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të jetë pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë.

Sipas raportit, Kosova ndodhet ndërmjet fazës së hershme dhe një niveli të caktuar të përgatitjes për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore.

Komisioni Evropian konstaton se ndikimi i papërshtatshëm nga brenda sistemit dhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që vazhdon të përbëjë pengesë të rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit, por në disa aspekte edhe është intensifikuar.

Komisioni vëren se pakoja e projektligjeve për sistemin e drejtësisë ende nuk është miratuar, duke penguar reformat e nevojshme në këtë fushë. Sipas raportit, kjo ka ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor dhe prokurori.

Raporti veçon edhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Më 6 tetor 2026, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në ligjin që rregullon këto institucione, por më 22 tetor presidentja ia ka kthyer ligjin Kuvendit për rishqyrtim.

Komisioni Evropian shpreh shqetësime serioze lidhur me këto ndryshime, duke vlerësuar se ato mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit. Në veçanti, përmenden pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësia e të drejtave procedurale dhe llogaridhënia efektive për krimet e luftës. Shqetësime janë ngritur edhe për kushtetutshmërinë e ndryshimeve.

Një tjetër çështje e evidentuar në raport është zbatimi i ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Komisioni vlerëson se vështirësitë në zbatimin e tyre tregojnë për një perceptim të kufizuar të llogaridhënies dhe përkushtimit ndaj reformave, si dhe për ndikimin e vazhdueshëm të interesave të caktuara. Shqetësime të veçanta janë ngritur për fletarrestimet e lëshuara në mënyrë retroaktive dhe zbatimin e procedurave e masave mbrojtëse përkatëse.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive, përfshirë përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e KPK-së, në përputhje me kornizën e ndryshuar ligjore.

Komisioni vlerëson gjithashtu se përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor mbetet shqetësim serioz, pasi ndikon në karakterin shumëetnik të sistemit të drejtësisë dhe cenon Marrëveshjen e Dialogut të vitit 2015 për drejtësinë.

Rekomandimet për Kosovën

Ndër rekomandimet për vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian kërkon miratimin e legjislacionit që buron nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe zhvillimin e konsultimeve të reja për projektligjet e rishikuara.

Po ashtu, kërkohet forcimi i mekanizmave ekzistues të integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor dhe prokurori, me theks të veçantë në përgjegjësitë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Komisioni rekomandon edhe krijimin e një kornize të qartë të përgjegjësive për funksionet menaxhuese në këshilla, gjykata dhe prokurori, si dhe forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, rasteve të tjera të profilit të lartë dhe rasteve të dhunës me bazë gjinore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Fituesit e zgjedhjeve në Serbi duhet të punojnë për të…