Raporti i BE-së: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova të nisë procesin për vetëmenaxhimin e serbëve
Bashkimi Evropian ka ritheksuar qëndrimin se Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet, duke vlerësuar se kushtet teknike për këtë tashmë janë përmbushur. Megjithatë, BE-ja ka theksuar se nevojitet koordinim më i mirë dhe konsultim kuptimplotë ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve të nivelit qendror, në mënyrë që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.
Në raportin e publikuar sot, BE-ja ka bërë me dije se ka marrë parasysh ndryshimin e qëndrimit të KFOR-it lidhur me urën, por ka nënvizuar se hapja e saj duhet të shoqërohet me koordinim institucional.
Përveç çështjes së urës, BE-ja u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksi i zbatimit, të njohura si Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, si dhe marrëveshjet e mëhershme të dialogut, pa vonesa dhe pa parakushte.
Në veçanti, BE-ja ka theksuar se Kosova pritet të nisë procesin që çon drejt themelimit të mekanizmave të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Ndërkaq, Serbia pritet të nisë paralelisht procesin e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
Sipas BE-së, asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e këtyre obligimeve.
Raporti rikujton se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 mbetet e vlefshme dhe juridikisht e detyrueshme për të dyja palët, ndërsa çështjet formale që lidhen me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.
BE-ja ka paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve nga dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportit, të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.



