Pesë kadetë të FSK-së diplomohen në akademitë ushtarake të Gjermanisë, Maqedonci merr pjesë në ceremoni

05 nëntor 2026 | 10:12

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin. Kadetët përfunduan me sukses studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Republikës Federale të Gjermanisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

Me këtë rast, ministri shprehu urimet për kadetët e diplomuar: Xheto Kelmendin, në fushën e këmbësorisë; Leutrim Nikën, në logjistikë; Gentri Azemin, në IT ushtarake; si dhe Lavdim Sylejmanin dhe Betim Elshanin, në polici ushtarake.

Pasi përfunduan studimet, oficerët e rinj do t’i bashkohen radhëve të trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës, duke vënë në shërbim të Republikës së Kosovës njohuritë, përvojën dhe përgatitjen profesionale të fituar gjatë studimeve. Deri më tani, 18 kadetë të FSK-së kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë janë duke vijuar studimet në akademi të ndryshme ushtarake gjermane. Po ashtu, përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë përfituar nga trajnime të ndryshme në Gjermani.

Ministri Maqedonci shprehu mirënjohje dhe falënderim për Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ndërsa, kadetëve të diplomuar iu uroj suksese në rrugëtimin e tyre profesional dhe në përmbushjen e misionit në shërbim për Republikën e Kosovës.

Bashkëpunimi me Republikën Federale të Gjermanisë përbën një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, avancimin e arsimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe në forcimin e mëtejmë të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka…