Infantinos mund të mos i lejohet të kandidojë për një mandat tjetër në krye të FIFA-s

05 nëntor 2026 | 11:24

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mund të përballet me një sfidë ligjore për kandidaturën e tij për një mandat të ri presidencial në vitin 2027. Miguel Maduro, ish-kryetar i Komitetit të Menaxhimit të FIFA-s, pretendon se Infantino nuk ka të drejtë të kandidojë për rizgjedhje, pasi tashmë është zgjedhur tri herë në këtë post.

Maduro ka paralajmëruar gjithashtu për një atmosferë frike brenda FIFA-s, duke pretenduar se federatat kombëtare të futbollit nuk guxojnë ta kundërshtojnë presidentin aktual. Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut FairSquare ka nisur një iniciativë për t’u kërkuar federatave që ta sfidojnë kandidaturën e Infantinos.

Infantino erdhi për herë të parë në krye të FIFA-s në shkurt të vitit 2016, pas largimit të Sepp Blatterit, mandati i të cilit ishte shënuar nga skandale të mëdha korrupsioni. Ai u rizgjodh në vitet 2019 dhe 2023, ndërsa synon të qëndrojë në detyrë edhe pas zgjedhjeve të planifikuara për mars të vitit 2027.

Çështja lidhet me nenin 33 të statutit të FIFA-s, sipas të cilit i njëjti person nuk mund ta mbajë postin e presidentit për më shumë se tri mandate.

“Neni 33, paragrafi 2 i statutit të FIFA-s është shumë i qartë kur thotë se askush nuk mund të mbajë postin e presidentit për më shumë se tri mandate. Gianni Infantino u zgjodh tri herë dhe ishte president i FIFA-s për tri mandate. Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë mënyrë për ta pajtuar këtë me një mandat tjetër presidencial të tij”, ka thënë Maduro.

Megjithatë, FIFA ka një interpretim tjetër të kësaj dispozite. Këshilli i saj ka konfirmuar unanimisht, në dhjetor të vitit 2022, se periudha nga viti 2016 deri në vitin 2019 nuk llogaritet si mandati i parë i Infantinos, pasi ai në atë kohë po përfundonte periudhën e nisur nga paraardhësi i tij.

Ky interpretim i lejon Infantinos të kandidojë sërish në vitin 2027. Megjithatë, organizata FairSquare thekson se FIFA nuk ka publikuar asnjëherë një arsyetim ligjor për këtë interpretim.

“Teksti i dispozitës është i qartë, flet për tri mandate. Nuk bën dallim midis mandateve të plota dhe të paplota, mandateve katërvjeçare ose atyre që mund të zgjasin më pak se katër vjet”, ka thënë Maduro.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Vedat Muriqi ka përjetuar emocione të veçanta pas golit të…