Tre policë lëndohen gjatë ndërhyrjes pas incidentit mes tifozëve në Gjilan
Tre zyrtarë policorë janë lënduar të mërkurën në Gjilan, gjatë ndërhyrjes për të parandaluar një përleshje fizike mes tifozëve të dy ekipeve futbollistike.
Rasti ka ndodhur rreth orës 13:50, jashtë stadiumit ku po zhvillohej ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, kur tifozët e të dyja ekipeve kanë tentuar të përleshen mes vete.
Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, policia ka ndërhyrë, me ç’rast janë lënduar tre zyrtarë policorë.
Rastin e ka konfirmuar për “Klan Kosova” zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani, i cili ka bërë të ditur se Njësiti i Hetimeve, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave.
“Gjatë ndërhyrjes janë lënduar tre zyrtarë policorë, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan. Sipas raportit mjekësor, kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Osmani.



