“Ëndërr në zarf”, Ismail Syla promovon librin e ri me poezi në Ferizaj
Mbrëmë, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, u promovua libri më i ri me poezi i poetit Ismail Syla, “Ëndërr në zarf”, një vëllim që vjen si një thirrje e heshtur kundër harresës dhe si dëshmi poetike e një dhimbjeje të papërfunduar.
Ky libër shpalos një univers simbolesh të fuqishme, ku bunari shndërrohet në metaforë të kujtesës së errët dhe të thellë.
Në poezitë “Bunar, varr prej uji”, “Fëmija pyet pranë bunarit”, “Uji i bunarit tjetër” dhe “Bunar tjetër, në tjetër fshat”, uji nuk është më burim jete, por bartës i historisë, dëshmitar i heshtur i tragjedive dhe i zërave që nuk u dëgjuan kurrë. Bunari bëhet varr, pasqyrë dhe arkiv i dhimbjes kolektive.
Vargjet e Sylës janë të shkurtra, të kursyera në fjalë, por të ngarkuara me peshë emocionale. Secili varg duket si një gur i hedhur në ujë, valët e të cilit zgjasin gjatë në ndërgjegjen e lexuesit. Poezia nuk bërtet; ajo flet me një zë të ulët, por therës.

Kulmi emocional arrihet te poezia që i jep titullin librit, “Ëndërr në zarf”. Në qendër të saj qëndron figura e nënës, e cila ende e ruan letrën e pranimit të të birit në universitet – dëshmi e një të ardhmeje që nuk u jetua kurrë.
Në atë zarf qëndron një jetë e tërë e mundshme: një mjek, një mësues, një inxhinier, një shkencëtar… një njeri që do t’i shërbente jetës. Por zarfi mbetet i mbyllur, si një plagë që nuk mbyllet.
“Ëndërr në zarf” është më shumë se një përmbledhje poezish; është një akt kujtese dhe një qëndrim etik kundër zhdukjes së së vërtetës. Në një kohë kur harresa shpesh kërkohet si lehtësim, poezia e Ismail Sylës zgjedh të kujtojë dhe, përmes kujtesës, të mbajë gjallë dinjitetin e atyre që mungojnë.












