BDI: Raporti i KE-së është ndër më negativët, politikat e Qeverisë po e kthejnë Maqedoninë e Veriut prapa
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një nga vlerësimet më negative që vendi ka marrë në vitet e fundit.
Në një reagim për media, BDI vlerëson se raporti dëshmon humbjen e ritmit të reformave, largimin nga procesi i integrimit evropian dhe problemet serioze në funksionimin e institucioneve.
Sipas BDI-së, shqetësim i veçantë është fakti se për herë të parë problemet me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat janë theksuar kaq qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian.
BDI ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, duke thënë se kjo e fundit kishte hyrë në Qeveri me premtimin për përfaqësimin e shqiptarëve, por se rezultatet e qeverisjes së saj tashmë po evidentohen edhe në raportet evropiane.
“Balancuesi është shfuqizuar, mekanizmi i ri i përfaqësimit mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pengesa në realizimin e të drejtave të tyre gjuhësore”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo parti ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesën e progresit në luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, prokurimet publike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësinë.
Në reagim përmendet edhe dallimi në ecurinë e integrimit evropian të vendeve të rajonit, duke theksuar se Shqipëria po avancon në negociata, Mali i Zi po i afrohet përfundimit të tyre, ndërsa Maqedonia e Veriut ende nuk ka hapur klasterin e parë.
Sipas BDI-së, kjo situatë paraqet koston e drejtimit aktual politik të vendit, ndërsa qytetarët po humbin kohë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fund, BDI ka kërkuar ndryshim të menjëhershëm të kursit qeverisës, duke theksuar se barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk duhet të jenë viktima të politikave aktuale.



