Konjufca në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit: Një dekadë pa drejtësi është tepër e gjatë

05 nëntor 2026 | 12:26

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në 10-vjetorin e vdekjes së tij, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Konjufca ka shprehur mallin dhe dhimbjen për humbjen e Deharit, duke thënë se kujtimi për të mbetet i lidhur me zemërimin për drejtësinë që ende mungon.

Ai e ka cilësuar Deharin si aktivist të shkëlqyeshëm dhe patriot të pashoq, duke theksuar se shembulli i tij i angazhimit dhe vetëmohimit vazhdon të jetë frymëzim për bashkaktivistët.

Konjufca ka thënë se Astrit Dehari ishte një aktivist që besonte fuqishëm në idealet e tij dhe kërkonte që ato t’i kthente në ndryshime konkrete në shoqëri.

“Edhe sot, në përgjegjësitë publike që mbajmë, shembulli i tij na obligon t’u qëndrojmë besnikë parimeve për të cilat u angazhuam bashkë”, ka shkruar Konjufca.

Duke folur për rrethanat e vdekjes së Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Konjufca ka thënë se përgjegjësia rëndon mbi autoritetet që kishin për detyrë t’ia mbronin jetën, ndërsa moszbardhja e rastit, sipas tij, vazhdon ta cenojë besimin në drejtësi.

Ai ka theksuar se dhjetë vjet pa drejtësi janë shumë për familjen Dehari dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e deshën Astritin.

Në fund të reagimit të tij, Konjufca ka përsëritur zotimin se kërkesa për drejtësi nuk do të ndalet.

“Astrit, asnjë vonesë nuk do të na bëjë të heqim dorë nga kërkesa që drejtësia të vihet në vend. Lavdi jetës dhe veprës së Astrit Deharit! Drejtësi për Astritin!”, ka përfunduar Konjufca.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar maketën e NOËL…