KOMF-i me kërkesë për Kurtin, kërkon rregullimin e financimit për shërbimet sociale përmes themelimit të Grantit Specifik për Shërbimet Sociale
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare, dhe Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale i kanë drejtuar një kërkesë kryeministrit Albin Kurti për adresimin e një prej mangësive më kritike strukturore të sistemit aktual të mbrojtjes sociale: financimin e pamjaftueshëm dhe të paqëndrueshëm të shërbimeve sociale.
“Pavarësisht progresit në zhvillimin e kornizës ligjore, niveli aktual i financimit mbetet shumë prapa nevojave reale të fëmijëve dhe familjeve. Pa financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm, reforma e mbrojtjes sociale nuk mund të zbatohet në mënyrë efektive”, thuhet në kërkesën e tyre, duke shtuar se komunat kanë përgjegjësinë për sigurimin dhe ofrimin e një game të gjerë të shërbimeve sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve, megjithatë shumë prej tyre nuk kanë kapacitetin financiar dhe gatishmërinë për të siguruar ofrimin e shërbimeve. “Si pasojë, shërbimet parandaluese dhe shërbimet për mbrojtjen nga dhuna dhe abuzimi, mbështetjen e familjeve në situata krize, etj, ofrohen nën kufizime të mëdha financiare. Në këtë kontekst, kërkojmë që Qeveria të shqyrtojë krijimin e Grantit Specifik të dedikuar për Shërbimet Sociale, në kuadër të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal me qëllim të rregullimit të mekanizmit për financimin e shërbimeve sociale dhe konsiderojmë që kjo duhet të trajtohet si përgjegjësi urgjente publike dhe të reflektohet në Buxhetin e vitit 2027. Një mekanizëm i tillë do të mundësonte financim të qëndrueshëm, transparent, të barabartë dhe të bazuar në nevoja, duke reduktuar pabarazitë ndërmjet komunave në ofrimin e shërbimeve sociale”, është thënë në këtë kërkesë.
Sipas KOMF-it, rastet e fundit tragjike, na përballin edhe një herë me një të vërtetë të dhimbshme: ligjet dhe mekanizmat e mbrojtjes nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me shërbime funksionale, profesionistë të mjaftueshëm, përgjigje të koordinuar nga institucionet dhe rritje të llogaridhënies.
“Financimi i mbrojtjes sociale mbetet kryesisht i përqendruar në transfere monetare, ndërsa shërbimet sociale, si ndërhyrje profesionale që parandalojnë përshkallëzimin e krizave dhe adresojnë cenueshmërinë e familjeve, vazhdojnë të marrin një pjesë dukshëm më të vogël të buxhetit. Në vitin 2024, Kosova shpenzoi rreth 854.6 milionë euro për mbrojtjen sociale, ndërsa shërbimet sociale përbënin vetëm rreth 1.6% të shpenzimeve të sektorit. Ky disproporcion tregon nevojën për një qasje më të balancuar, që krahas mbështetjes përmes transfereve monetare, investon më shumë në parandalim dhe shërbime profesionale për fëmijët dhe familjet”, është thënë në kërkesën e këtij koalicioni.
KOMF-i thekson se 38 Qendra për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata joqeveritare të licencuara janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimeve sociale, megjithatë, ato përballen me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe financim.
“Qendrat për Punë Sociale vazhdojnë të jenë të mbingarkuara me reagim në raste emergjente, ku aktualisht, një zyrtar nga QPS në komunat e mëdha ka rreth 350 lëndë aktive në vit. Organi i Kujdestarisë në shumicën e komunave nuk është i kompletuar me 5 profesionistët sipas kërkesës ligjore dhe nuk është funksional. Në anën tjetër, organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët dhe familjet në situata të cenueshme, përfshirë fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe të rrezikshme, fëmijët përdorues të drogave, si dhe kategori të tjera të fëmijëve dhe familjeve në nevojë për mbrojtje, përballen vazhdimisht me rrezikun e reduktimit apo ndërprerjes së shërbimeve për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm”, është thënë në kërkesën e KOMF-it, duke theksuar se kjo situatë rrezikon të cenojë vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore dhe jetike për këta fëmijë dhe familjet e tyre, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien, sigurinë dhe mbrojtjen e tyre.
Tutje thuhet se sipas analizave financiare, aktualisht nga buxheti i shtetit ndahen rreth 20 milionë euro në vit për shërbimet sociale. “Për të përballuar kërkesat në rritje për shërbime, si dhe për të përmbushur kërkesat e legjislacionit dhe standardet minimale për ofrim të shërbimeve sociale, vlerësohet se nevojitet një financim shtesë prej 16 milionë eurosh në vit. Kjo do ta çonte financimin e përgjithshëm për shërbimet sociale në rreth 36 milionë euro në vit, ose afërsisht 0.4% të buxhetit të Kosovës për vitin 2026. Ky investim do të përbënte një pjesë relativisht modeste të buxhetit të përgjithshëm, ndërsa do të mundësonte fuqizimin e parandalimit dhe ndërhyrjes së hershme, si dhe reduktimin e kostove shumë më të larta sociale dhe ekonomike që lidhen me dhunën ndaj fëmijëve, ndarjen e familjeve, kujdesin institucional, traumën e patrajtuar dhe përjashtimin social”, është thënë në këtë kërkesë.
Për adresimin e sfidave sistemore në financimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale, KOMF-i ka vlerësuar të nevojshme që Qeveria të ndërmarrë këto ndërhyrje: Të alokojë buxhetin e nevojshëm për punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale (me fokus psikologë klinik) në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, me qëllim të plotësimit të kërkesave minimale ligjore për funksionalizimin e Organeve të Kujdestarisë, si dhe sigurimin e infrastrukturës dhe mjeteve logjistike, me qëllim të mundësimit të ofrimit të shërbimeve cilësore e në kohë për qytetarët; Të rrisë buxhetin e dedikuar për thirrjen publike për organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së këtyre shërbimeve dhe zgjerimit të mbështetjes për fëmijët dhe familjet në nevojë; Të miratojë Grantin Specifik për Shërbimet Sociale në kuadër të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, për të siguruar financim të barabartë, transparent dhe të bazuar në nevoja; Të finalizojë kostimin dhe formulën e alokimit për themelimin dhe operacionalizimin e Grantit, duke marrë parasysh numrin e fëmijëve dhe qytetarëve, nevojat dhe kapacitetin e komunave.



