Kurti bën homazhe në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit të tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
I shoqëruar nga prindërit, bashkëshortja, vajza dhe familjarë të tjerë të Deharit, Kurti ka vendosur lule të freskëta te varri i tij, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe vënien e drejtësisë.
Kurti ka deklaruar se dhjetë vjet pas vdekjes së Deharit, ende nuk është zbardhur e vërteta dhe nuk ka persona të ndëshkuar për këtë rast.
“10 vjet pa Astritin janë shumë, janë shumë për familjen, për Vetëvendosjen, për të gjithë ne që e njohëm, por janë edhe shumë për Kosovën dhe shqiptarët, sepse mungon e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia. 10 vjet më vonë nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit”, ka thënë Kurti.
Ai ka rikujtuar se për rastin e Deharit janë ndërruar pesë prokurorë, ndërsa ka kritikuar institucionet përgjegjëse për deklaratat e dhëna në orët e para pas vdekjes së tij, më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, përcjell Telegrafi.
Sipas Kurtit, deklarimet e institucioneve para përfundimit të hetimeve e kanë rënduar edhe më shumë situatën, ndërsa deri më tani askush nuk është akuzuar, arrestuar apo dënuar lidhur me vdekjen e Deharit.
“Pesë prokurorë janë ndërruar për rastin e tij dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse që të japin konstatime para hetimeve. Kjo e rëndoi shumë situatën dhe kjo situatë e rënduar vazhdoi sot e asaj dite, pasi askush nuk është akuzuar, askush s’është arrestuar, gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se kërkesa për drejtësi do të vazhdojë edhe në përvjetorët e ardhshëm.
“Edhe në këtë përkujtim Astriti na mungon dhe nuk do të ndalemi pa kërkuar drejtësi për të”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, ka thënë se dhjetë vjet pritje për zbardhjen e rastit përbëjnë një periudhë të rëndë për familjen, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si janë zhvilluar hetimet.
“Si prind i Astritit i bashkëngjitem fjalës së kryeministrit. Dhjetë vjet nga vrasja e tij janë shumë për t’u zbardhur drejtësia. Dhjetë vjet janë torturë për ne si familje, për të pritur se çka do të ndodhë me këtë rast që ende nuk po përmbyllet”, ka deklaruar Dehari, përcjell Telegrafi.
Ai ka kritikuar Prokurorinë për zvarritjen e hetimeve, duke thënë se që nga fillimi ka pasur veprime dhe deklarime që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në proces.
“Dhjetë vjet janë shumë që Prokuroria, që nga fillimi, me shumë bashkëveprimtarë të tyre, e kanë zvarritur këtë hetim deri në skajshmëri. Që nga fillimi prononcimet për media, konstatimet kanë qenë qëllimkëqija, edhe pse ka pasur hetime nga Këshilli i Pavarur Ligjor. Presim që në të ardhmen ky rast të trajtohet më seriozisht dhe të kemi rezultate”, ka thënë Avni Dehari.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, derisa ndodhej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, familja dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe drejtësi.



