Veprimtari Sali Bislimi takon ministrin Valentin Zuber në kantonin Jura, diskutojnë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në Zvicër
Drejtori i organizatës “Zëri Perëndimor i Kosovës”, veprimtari, Sali Bislimi, ka zhvilluar një takim me ministrin e Kohezionit Social, Drejtësisë dhe Policisë në kantonin Jura të Zvicrës, Valentin Zuber.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bislimi e ka cilësuar takimin si shumë të ngrohtë, duke kujtuar edhe njohjen e hershme me Zuberin dhe lidhjen e veçantë që kanë që nga viti 1994.
Ai ka treguar se në atë kohë, kur një familje kosovare kishte humbur tragjikisht jetën në një aksident komunikacioni, babai i Valentin Zuberit, i cili atëherë ishte kryetar i qytetit Moutier, kishte hapur dyert e shtëpisë së tij për të ndihmuar në riatdhesimin e viktimave në Kosovë.
Bislimi ka kujtuar se në atë kohë e kishte falënderuar edhe përmes shtypit lokal, ndërsa sot, pas shumë vitesh, pati rastin ta takojë përsëri dhe ta përgëzojë për postin e ri ministror.
Gjatë takimit, sipas Bislimit, janë diskutuar çështje që lidhen me Kosovën, komunitetin shqiptar në Zvicër, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykatën Speciale në Hagë, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet kantonit Jura dhe Kosovës.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe mundësia e përfshirjes së shqiptarëve në institucionet e sigurisë, me ç’rast Zuberi u ka bërë thirrje edhe qytetarëve kosovarë që të aplikojnë në shkollën policore, pasi aktualisht janë duke u zhvilluar procese të rekrutimit.
Bislimi ka vlerësuar se Valentin Zuber është njohës i mirë i Ballkanit dhe ka shprehur respekt të veçantë për komunitetin shqiptar, të cilin e ka cilësuar si një komunitet që po kontribuon në ndërtimin e Zvicrës.
Në fund, veprimtari Sali Bislimi ka theksuar rëndësinë e lidhjes së vlerave kombëtare me qytetërimin evropian, duke e cilësuar këtë si rrugë të domosdoshme për një të ardhme në paqe dhe bashkëjetesë afatgjatë.
“Zëri perëndimor i Kosovës trason rrugën për të ndërtuar vlerat tona kombëtare me qytetërimin evropian, që është i domosdoshëm për të ardhmen tonë për të jetuar në paqe afatgjatë”, ka shkruar Bislimi.



