Strategjia e Inovacionit të Kosovës: Në hap me prioritetet vendore, rajonale dhe evropiane
Në Institutin Riinvest të enjten u prezantua analiza e Strategjisë së Inovacionit 2030+, duke shqyrtuar përafrimin e saj me strategjitë dhe prioritetet e tjera kombëtare, rajonale dhe evropiane.
Gjatë diskutimit me palët e interesuara u theksua rëndësia e zbatimit efektiv të dokumenteve strategjike si udhërrëfyes për zhvillimin e inovacionit dhe shkencës në Kosovë, si dhe nevoja për koordinim më të mirë të politikave në fusha të ndërlidhura, përfshirë shkencën, industrinë, digjitalizimin dhe administratën publike.
Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën për forcimin e rolit të akademisë në zhvillimin e inovacionit, përmes krijimit të stimujve për kërkime shkencore me zbatueshmëri në industri dhe bashkëpunimit më të ngushtë me sektorin privat.
Njëkohësisht, u diskutua rëndësia e përmirësimit të qasjes në financim dhe krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillimin dhe zbatimin e ideve inovative.
Gjetjet dhe rekomandimet nga diskutimi do të kontribuojnë në hartimin e një dokumenti të rekomandimeve për politika (Policy Brief), në kuadër të projektit POLICY ENLARGE, të financuar nga programi Horizon Europe i Bashkimit Evropian.



