Çmimi i naftës bie nën 100 dollarë për fuçi – për herë të parë pas gati një muaji
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme të mërkurën, me naftën bruto Brent që ka rënë nën 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga 7 tetori.
Rënia ishte afro nëntë dollarë për fuçi, apo më shumë se 8 për qind. Edhe nafta bruto amerikane, e njohur si WTI, pësoi rënie prej 8 për qind, duke zbritur në rreth 89 dollarë për fuçi, raporton “NBC News”, transmeton Klankosova.tv.
Kjo rënie mund të sjellë lehtësim për konsumatorët, pasi çmimet e derivateve në pompa mund të bien në ditët në vijim. Sipas Patrick De Haan, analist në kompaninë GasBuddy, çmimi mesatar i benzinës në ShBA mund të zbresë nën katër dollarë.
Rënia e çmimeve erdhi në një kohë kur tregjet dhe ekspertët e energjisë po përcillnin nga afër ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA, të mbajtura të martën, dhe mundësinë që ato ta shtyjnë presidentin Donald Trump t’i japë fund luftës me Iranin, pa një përshkallëzim të mëtejshëm.
Lufta kishte shkaktuar rritje të madhe të çmimeve të benzinës dhe naftës, duke rënduar edhe më shumë inflacionin dhe kostot për konsumatorët, fermerët dhe bizneset amerikane.
Rënia e çmimeve gjatë tri seancave të fundit të tregtimit ka qenë e theksuar. Të premten, nafta tregtohej deri në 118 dollarë për fuçi, ndërsa deri në mesditën e së mërkurës çmimi kishte zbritur në rreth 98 dollarë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, çmimi i naftës mbetet 65 për qind më i lartë krahasuar me fillimin e këtij viti.



