BQK-ja zgjeron bashkëpunimin me Bankën e Italisë edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë
Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Nesrin Shileku-Shala, së bashku me drejtoreshën e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Suzan Dervari, morën pjesë në Konferencën e 13-të për Mbrojtjen e Konsumatorit (13th Joint ESAs Consumer Protection Day), të organizuar nga tri Autoritetet Evropiane Mbikëqyrëse (EBA, EIOPA dhe ESMA), në bashkëpunim me Bankën e Italisë, më 4 nëntor 2026, në Romë.
Konferenca trajtoi zhvillimet dhe sfidat në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, me fokus në qasjen e drejtë në shërbimet financiare, qeverisjen e produkteve financiare dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në këtë fushë.
Gjatë konferencës, delegacioni i BQK-së shkëmbeu pikëpamje edhe me Magda Bianco, drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Edukimin Financiar në Bankën e Italisë, e cila ishte njëra nga panelistet e konferencës.
Në vijim të pjesëmarrjes në konferencë, zëvendësguvernatorja Shileku-Shala dhe Dervari zhvilluan një takim bilateral në Bankën e Italisë me zëvendësguvernatoren, Chiara Scotti, si dhe me përfaqësuesit përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë në këtë institucion.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet dhe praktikat në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë, me fokus në transparencën e shërbimeve financiare, trajtimin e ankesave dhe mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në njohjen me përvojat dhe praktikat e Bankës së Italisë në këtë fushë.
Pjesëmarrja në konferencë dhe takimi bilateral me Bankën e Italisë pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së për avancimin e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit me autoritetet homologe evropiane.
BQK mbetet e përkushtuar ndaj përmirësimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe përafrimit të saj me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.



