Florent Hajdini zgjedh Kosovën, heq dorë nga Austria
Për Florent Hajdinin, dy ditët e fundit kanë qenë të mbushura me emocione dhe ndryshime të shpejta në vendimmarrje.
Futbollisti 20-vjeçar fillimisht ishte përfshirë në listën rezervë për grumbullimin e nëntorit të Përfaqësueses U21 të Austrisë. Megjithatë, më pak se 48 orë më vonë, ai ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën, vendin e origjinës së prindërve të tij.
“Për mua ishte një çështje e zemrës. Dy ditët e fundit kanë qenë një çmenduri e vërtetë”, ka deklaruar Hajdini në një intervistë për “Sky” të Austrisë.
Sipas medias austriake, një nga faktorët vendimtarë në këtë zgjedhje ka qenë një bisedë e gjatë telefonike me trajnerin e Kosovës U21, Hekuran Kryeziu. Ky i fundit ka zhvilluar 247 ndeshje në Superligën e Zvicrës dhe ka regjistruar 29 paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës. Edhe Kryeziu kishte kaluar te Kosova, pasi gjatë karrierës së tij të re kishte luajtur për grupmoshat e Zvicrës.
Megjithatë, Hajdini meritën për realizimin e shpejtë të këtij ndryshimi ia ka atribuuar edhe trajnerit të SKU Amstettenit, Andreas Gahleitner, i cili, përveç detyrës në klub, është edhe ndihmëstrajner i Peter Perchtoldit te Përfaqësuesja U21 e Austrisë.
“Trajneri e kuptoi dëshirën time për të luajtur për Kosovën. I jam shumë mirënjohës për këtë. Natyrisht, jam mirënjohës edhe ndaj Federatës Austriake të Futbollit (ÖFB), pasi kam luajtur për Austrinë nga U16 deri te U19. Në fund, nuk ishte një vendim kundër Austrisë, por një vendim në favor të Kosovës”, është shprehur Hajdini.
Mesfushori defansiv iu bashkua Amstettenit gjatë verës, pas aventurave në Akademinë Red Bull dhe te Wolfsberger AC.
I pyetur nëse synimi i tij i radhës është të kalojë edhe në Përfaqësuesen A të Kosovës, Hajdini është përgjigjur me maturi.
“Natyrisht, është një synim i madh. Të gjithë duan të arrijnë nivelin më të lartë, si me klubin, ashtu edhe me Përfaqësuesen. Jam i ri dhe kam shumë ambicie, por duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Te Amstetteni kam një ambient shumë të mirë ku mund të zhvillohem nga një stërvitje në tjetrën. Ndërsa te Kosova shoh një zhvillim vërtet të mirë, në të cilin dua të jap kontributin tim”, ka thënë ai.
Hajdini mund të bëhet futbollisti i radhës që kalon nga përfaqësimi i Austrisë në atë të Kosovës. Para tij, këtë rrugë e kanë ndjekur Atdhe Nuhiu, Vesel Demaku dhe, së fundmi, Dardan Shabanhaxhaj.



