Demokratët do të hetojnë marrëveshjet e Trumpit, duke pasur parasysh edhe garën e vitit 2028

05 nëntor 2026 | 17:08

Pasi siguruan kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, demokratët pritet t’i përdorin kompetencat e reja hetimore për të shqyrtuar marrëveshjet e biznesit të familjes Trump. Ata synojnë që atë që e cilësojnë si korrupsion ta bëjnë një nga temat qendrore të fushatës për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.

Demokratët morën kontrollin si të Senatit, ashtu edhe të Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e ndërmjetme të së martës, në të cilat dhjetëra miliona votues shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj presidentit Donald Trump.

Ata nuk humbën kohë për t’u dërguar një paralajmërim republikanëve.

“Gjeni avokatë”, ka shkruar në platformën “X”, vonë të martën, përfaqësuesi amerikan Robert Garcia, i cili pritet të bëhet kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje.

“Urdhra për paraqitje (subpoena)”, ka shkruar një orë më vonë senatori Ron Wyden, i cili pritet të drejtojë Komisionin e Senatit për Financat.

“Lironi agjendën tuaj”, ka deklaruar përfaqësuesja amerikane Delia Ramirez në një postim drejtuar disa zyrtarëve të administratës Trump.

Sipas “Reuters”, të mërkurën, drejtuesit demokratë të komisioneve kanë filluar të hartojnë një agjendë mbikëqyrëse që vë në shënjestër administratën Trump dhe korporatat e mëdha. Wyden ka deklaruar se planifikon të shqyrtojë me imtësi marrëveshjet ndërmjet administratës Trump dhe kompanive farmaceutike lidhur me çmimet e barnave.

Administrata Trump i ka mohuar akuzat për shkelje dhe të mërkurën ka reaguar ashpër ndaj hetimeve të paralajmëruara.

“Nëse demokratët zgjedhin të ndërmarrin hetime të rreme dhe politika të së majtës radikale, ata po zgjedhin të punojnë kundër popullit amerikan”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis.

Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti, ka komentuar qëndrimet e demokratëve.

“Duhet t’u kujtohet se ne ende e kontrollojmë qeverinë federale dhe të gjitha kompetencat e saj”, ka thënë zyrtari.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin…