Ngjarje e rëndë brenda një banke në Kolumbi (video)
Një oficer i Policisë Kombëtare të Kolumbisë është vrarë me armë zjarri brenda një banke, ku kishte shkuar për të kryer disa veprime personale. Ngjarja ndodhi të martën, më 3 nëntor 2026, në qytetin El Difícil, në departamentin Magdalena, brenda një dege të Bankës Agrare.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person të veshur me bluzë të kuqe, i cili hyn fillimisht në bankë dhe, disa sekonda më vonë, i afrohet oficerit Angel de Jesus Arrieta Ruiz, ndërsa ky i fundit po bisedonte me një punonjës të bankës.
Në pamjet filmike shihet se autori nxjerr armën dhe qëllon policin, pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit për t’u mbrojtur. Arrieta Ruiz u transportua në spital, por më vonë ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Në momentin e sulmit, oficeri ishte me rroba civile dhe ndodhej me leje, pasi ishte në një pushim tre-ditor, nga 2 deri më 4 nëntor.
Angel de Jesus Arrieta Ruiz kishte shërbyer për 16 vjet e 9 muaj në Policinë Kombëtare të Kolumbisë. Prej 7 prillit 2026, ai ishte pjesë e një stacioni policie në zonën ku ndodhi ngjarja.
Rrethanat dhe motivet e vrasjes po hetohen nga autoritetet.



