Polonia arrin në 700 tonë rezerva ari, hyn mes 10 vendeve me rezervat më të mëdha në botë
Banka Qendrore e Polonisë ka arritur të grumbullojë 700 tonë ar, duke konsoliduar pozicionin e vendit mes 10 shteteve me rezervat më të mëdha të arit në botë.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë, Adam Glapinski, i cili theksoi se blerjet e fundit rrisin besueshmërinë dhe sigurinë e vendit, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin e monedhës kombëtare, zloty.
Rezervat janë rritur me 150 tonë që nga janari, kur banka qendrore zotëronte 550 tonë ar.
“Kjo është një arritje historike për bankën qendrore polake. Polonia ka konsoliduar pozicionin e saj mes 10 vendeve me rezervat më të mëdha të arit në botë”, deklaroi Glapinski gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, ari i grumbulluar nga banka qendrore ka një vlerë prej 355.7 miliardë zlotysh, ose rreth 80.9 miliardë euro.
Banka Kombëtare e Polonisë ka vendosur që një të tretën e rezervave të arit ta mbajë në Nju Jork, 30 për qind në Londër dhe 30 për qind në territorin polak. Ky organizim është bërë për arsye sigurie.
“Kemi kaluar nëpër shumë luftëra dhe shumë fatkeqësi të të gjitha llojeve, kështu që kjo është vetëm një masë paraprake”, tha Glapinski, duke garantuar se ari polak i ruajtur në Nju Jork dhe Londër gëzon siguri absolute.
Polonia është ndër vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka adoptuar euron si monedhë kombëtare. Ndërkohë, banka e saj qendrore po ndjek trendin ndërkombëtar të rritjes së rezervave të arit, të cilin po e ndjekin edhe shumë banka të tjera qendrore në botë.
Pavarësisht se rezervat kanë arritur në 700 tonë, Glapinski ka bërë të ditur se synon të vijojë blerjet.
“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos vazhdojmë të blejmë ar”, theksoi ai.



