E fiton mandatin në ShBA, shqiptari Joe Hoxha rrëfen rrugëtimin drejt politikës amerikane
Republikani me origjinë shqiptare, Joe Hoxha, i cili fitoi një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Connecticut në SHBA, ka rrëfyer përjetimet e natës së zgjedhjeve dhe mbështetjen që mori nga komuniteti shqiptar.
Në një intervistë në A2 CNN, Hoxha tregoi se rrugëtimin politik e kishte nisur duke punuar në fushatat zgjedhore të kandidatëve të tjerë, pa e menduar se një ditë do të garonte vetë.
“E dija që një ditë do të angazhohesha në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk e dija që do kandidoja vetë. Për shumë kohë unë kam punuar nëpër fushata për të tjerët, dhe nuk bëhet zakonisht ajo kthyerja nga punëtor nëpër fushatë, në kandidat vetë. Kur mu dha rasti, mu dha dhe kur thonë këta ‘the rest is history’”, deklaroi ai.
Hoxha tha se nata e zgjedhjeve ishte shoqëruar me ankth, pavarësisht pritshmërive për fitore.
Ai tregoi se kishte qëndruar pranë qendrave të votimit deri në përfundim të procesit, ndërsa ishte bindur për rezultatin vetëm kur votat e mbetura për t’u numëruar nuk mund ta ndryshonin epërsinë e tij.
“Vjen me shumë ankth kjo punë. Edhe sikur ta dish me 1 milion për qind që ke fituar të rri në kokë gjëja më e keqe që mund të ndodhë dhe jo gjëja më e mirë”, u shpreh Hoxha.
“Kur e pashë që shuma e atyre që akoma duhet të numëroheshin që ishin çuar me postë, ishin më pak se sa ndryshimi me kundërshtarin, aty u lirova dhe thashë: Më duket se kam fituar”, shtoi ai.
Republikani foli edhe për përkrahjen nga shqiptarët që jetojnë në zonën ku kandidoi.
“Në këtë zonë s’ka shumë shqiptarë, por ata që janë më mbështetën dhe nuk pyetën fare për pikëpamjet politike, më mbështetën vetëm për origjinën shqiptare”, deklaroi Hoxha.



