“Shtesat për fëmijë, larg nevojave të familjeve”
Në kohën kur rritja e kostos së jetesës po rëndon buxhetin e familjeve kosovare, rritja graduale e shtesave për fëmijë, e paralajmëruar nga Qeveria për katër vitet e ardhshme, vlerësohet si vendim i mirëpritur, por i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat reale të familjeve.
Ekonomisti Fidan Qerimi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ndonëse çdo ndihmë financiare për familjet është e mirëseardhur, shuma aktuale e shtesave mbetet shumë e ulët, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzimet që kanë prindërit për fëmijët e porsalindur.
“Natyrisht, edhe një euro është ndihmë për familjet. Padyshim që është një vendim i mirëpritur prej të gjitha familjeve, por këto shtesa të fëmijëve janë jashtëzakonisht të ulëta, e që ndoshta shpenzimet, tri ose maksimalisht një javë, nuk i mbulojnë këto shtesa për fëmijët, që janë sidomos të porsalindurit”, ka deklaruar Qerimi.
Ai ka vlerësuar se institucionet nuk kanë ofruar mbështetje të mjaftueshme për familjet me fëmijë, duke veçuar vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet e reja dhe gratë që nuk janë aktive në tregun e punës.
Sipas tij, shtesat për fëmijë duhet të jenë një mbështetje më e konsiderueshme financiare, e cila do t’u ndihmonte familjeve në mirërritjen e fëmijëve.
“Fatkeqësisht, nuk është si vend që kemi një trajtim të duhur ndaj kësaj kategorie të fëmijëve, duke pasur parasysh që në tregun e punës, sidomos gjinia femërore e moshës, të cilat potencialisht mund të jenë nëna të reja, nuk është që janë aktive në tregun e punës dhe kjo do të ishte një mbështetje për këto familje dhe për këtë kategori të popullatës, që të jetë një mbështetje në mirërritjen e atyre fëmijëve”, ka thënë ai.
Qerimi ka theksuar se nevoja për mbështetje më të madhe financiare bëhet edhe më e rëndësishme në kohën kur Kosova po përballet me rënie të numrit të lindjeve.
Ai ka përmendur se krahas faktorëve ekonomikë, edhe nevoja e të rinjve për zhvillim profesional dhe akademik ndikon në vendimet për krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve. Sipas tij, vështirësitë financiare e rëndojnë edhe më shumë këtë situatë.
“Fatkeqësisht, nuk është që i kemi trajtuar në mënyrën e duhur dhe mendoj që ka vend jashtëzakonisht shumë për përmirësim dhe për mbështetje të kësaj kategorie, duke pasur parasysh që numri i lindjeve ka rënë jashtëzakonisht shumë krahasuar me vitet e kaluara, kur ka qenë ndoshta shumë sfiduese, por fatkeqësisht rrethanat e reja, do të thotë nevoja për rritje profesionale, akademike, bën që këto lindshmëri të jenë në nivel të ulët. Kur i shtojmë edhe këtë problem financiar, është edhe më tepër ndikuese negative në uljen e lindshmërisë”, ka deklaruar Qerimi.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027 në mbledhjen e Qeverisë, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synimin që deri në janar të vitit 2030 të dyfishohen.
Sipas planit të prezantuar nga Kurti, rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa tri rritjet e tjera do të zbatohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.
“Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25 për qind, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25 për qind, në janar 2029 përsëri 25 për qind dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka dhënë edhe shembuj konkretë të ndikimit të rritjes së parë në buxhetin familjar. Aktualisht, një familje me një fëmijë përfiton 30 euro në muaj, ndërsa nga 1 janari 2027 kjo shumë do të rritet në 37.50 euro, apo 7.50 euro më shumë.
Një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, do të përfitojë 75 euro, ndërsa ajo me katër fëmijë, nga 180 euro sa merr aktualisht, do të përfitojë 225 euro në muaj.
Rritja e shtesave do të vazhdojë në mënyrë graduale në fillim të secilit vit, deri në dyfishimin e tyre në janar të vitit 2030.



