Flamengo interesohet për Alissonin, braziliani mund të largohet falas nga Liverpooli
Flamengo po shqyrton mundësinë e transferimit të portierit të Liverpoolit, Alisson Becker, në verën e vitit 2027, kur brazilianit do t’i skadojë kontrata me klubin anglez.
Sipas raportimeve të “Sport Witness”, gjiganti brazilian po e sheh 34-vjeçarin si një përforcim të mundshëm pa pasur nevojë të paguajë për kartonin e tij.
Megjithatë, brenda drejtuesve të Flamengos nuk ka ende një pajtim të plotë për transferimin e mundshëm. Një tjetër pengesë konsiderohet paga e lartë e portierit, e cila mund ta vështirësojë marrëveshjen.
Në anën tjetër, Internacional, klubi ku Alisson e nisi karrierën dhe që konsiderohet skuadra e tij e zemrës, mund të jetë destinacioni i preferuar në rast të rikthimit në Brazil.
Për momentin nuk ka vendim përfundimtar, ndërsa e ardhmja e portierit brazilian pritet të jetë një nga temat që do të përcillen gjatë muajve të ardhshëm, raporton Express.



