Futsall, Kosova gati për sfidën e vështirë me Italinë
Pas fitores 3:2 në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë muajin e kaluar, Kombëtarja e Kosovës në futsall është gati për një tjetër duel, kësaj radhe dukshëm më të vështirë.
Përballë do ta ketë Italinë, dy herë kampionen e Evropës. Ndeshja zhvillohet sot nga ora 20:00 në Prishtinë dhe i takon xhiros së dytë të Grupit 10, në kuadër të raundit kryesor të kualifikimeve për Botërorin 2028.
Italia dhe Kosova kryesojnë grupin me nga tri pikë të grumbulluara pas xhiros së parë.
Në kampin e Kosovës presin një ndeshje të fortë ndaj Italisë, të cilën e vlerësojnë si kundërshtare të rrezikshme. Megjithatë, insistojnë se janë të gatshëm ta sfidojnë, jo vetëm në parket, por edhe me përkrahjen e tifozëve nga tribunat.
Italia është shpallur kampione e Evropës në vitet 2003 dhe 2014, ndërsa në vitin 2004 ka dalë nënkampione e botës. Në dy raste të tjera, ka përfunduar në vendin e tretë në Kampionatin Botëror.
Katër ditë pas ndeshjes në Prishtinë, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj Italisë në udhëtim. Fushatën kualifikuese do ta mbyllë me përballjen në shtëpi ndaj Gjeorgjisë, e cila është caktuar për 24 shkurt të vitit të ardhshëm.
Vetëm fituesit e 12 grupeve dhe katër përfaqësueset më të mira të vendeve të dyta do të sigurojnë kualifikimin në “Elite Round”.
Tetë përfaqësueset e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do ta kërkojnë kualifikimin përmes plejofit, ku vetëm katër prej tyre do të avancojnë gjithashtu në raundin e fundit të kualifikimeve.



