Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72 mijë eurosh në Vërmicë
Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72 mijë e 600 eurosh në pikën kufitare në Vërmicë, gjatë kontrollit të një kamioni që po kalonte në procedurë të zhdoganimit.
Rasti është identifikuar pasi zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar në dokumentacion dhe peshës faktike të kamionit, çka ka nxitur një kontroll më të detajuar të ngarkesës.
Gjatë kontrollit janë zbuluar 1 mijë e 36 palë këpucë dhe 2 mijë e 980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin përfshirë në deklaratën doganore. Sipas Doganës, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura.
Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara vlerësohet në rreth 72 mijë e 600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se deklarimi i pasaktë ose mosdeklarimi i mallrave përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe mund të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit.
Institucioni ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për luftimin e kontrabandës, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg.



