ZRRE diskuton ndryshimet në rregulloren për vetë-konsumatorët e energjisë së ripërtërishme

06 nëntor 2026 | 12:18

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur konsultim me palët e interesit lidhur me Koncept-Dokumentin për përditësimin e Rregullës për Vetë-Konsumatorët me Burime të Ripërtërishme të Energjisë.

Konsultimi është mbajtur më 5 nëntor 2026, me qëllim të avancimit të kornizës rregullative dhe përafrimit të saj me kërkesat e Ligjit për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë.

Gjatë takimit janë prezantuar propozimet kryesore të dokumentit, përfshirë ruajtjen e pragjeve aktuale të kapacitetit, përcaktimin e kapacitetit në përputhje me mundësitë teknike të rrjetit, si dhe trajtimin e energjisë së tepërt të injektuar në rrjet bazuar në çmimin e tregut një ditë para të ALPEX-it.

Një tjetër propozim është zgjatja e periudhës së shfrytëzimit të kredisë monetare deri në një vit kalendarik. Dokumenti parasheh gjithashtu mekanizma për rikuperimin e kostove të rrjetit, procedura të shkallëzuara të regjistrimit, rregulla për vetë-konsumatorët që veprojnë bashkërisht dhe masa mbrojtëse për sistemet e ruajtjes së energjisë.

ZRRE ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë akterëve relevantë në këtë proces, duke vlerësuar se konsultimi publik dhe dialogu profesional janë thelbësorë për përmirësimin e kornizës rregullative dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Për përgatitjen e Koncept-Dokumentit, ZRRE ka pasur mbështetjen e konsulentëve të Optima Energy Consulting dhe financimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e konsultimit me palët e interesit. Komentet dhe rekomandimet e pranuara do të shqyrtohen gjatë finalizimit të dokumentit dhe hartimit të Rregullës së amendamentuar.

Pas kësaj, drafti i ri i Rregullës do t’i nënshtrohet edhe një konsultimi tjetër publik, përpara finalizimit dhe miratimit të tij.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën e futbollistëve…