KRYETAR I LIPJANIT IMRI AHMETI, PO VJEN DIMRI E DO TE BJEN BORA DHE NËNËS STANË PJETËR GASHI, VAZHDON T’I MBETET RRUGA E PA ASFALTUAR
Kryetar i Lipjanit Imri Ahmeti, me ardhjen e dimrit, bora, akulli dhe ngricat rrezikojnë ta bëjnë pothuajse të pakalueshme rrugën që lidh shtëpinë e Nënës Stanë Gashi me Kishën e Lagjes, por edhe me qytetin e Lipjanit dhe me gjithë Kosovën!
Ti dhe Komuna e Lipjanit heshtët dhe nuk vepruat që nga pas lufta e UÇK-së, e veçanërisht prej kur e realizuat vizitën në shtëpinë e Nënë Stanës, atëherë kemi të drejtë të ngremë pyetjen e rëndë dhe të padëshiruar: a vërtetë u la kjo familje pas dore pikërisht, pse është familje shqiptare katolike, familje kjo që dha një kontribut të madh e të jashtëzakonshëm në luftën e UÇK-së?!
Është e turpshme që në Kosovën e lirë, të çliruar me luftën heroike të UÇK-së, me gjakun e derdhur të Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit, me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe NATO-s, dhe të ketë diskriminim të tillë mbi baza fetare!
Shqiptarët katolikë ishin dhe mbeten pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe kontributi i tyre në përgjithësi dhe i familjes Gashi në veçanti nga Lagjja Peshter e Brusit të Lipjanit, në luftën çlirimtare të Kosovës, mbetet e papranueshme të shpërblehet me harresë, heshtje dhe një rrugë të mbuluar nga balta, bora e akulli!
Kryetar i Lipjanit Imri Ahmeti, rruga nga Kisha deri te shtëpia e Nënës Stanë Gashi, nuk është më e gjatë se 900 metra!
Asfaltimi i kësaj rruge nuk është lëmoshë dhe as favor politik, por është dhe mbetet detyrim institucional dhe nderim i merituar për kontributin e jashtëzakonshëm të Nënës Stanë, bashkëshortit, djemve dhe vajzave të saj në luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese!
Mos e dhëntë Zoti që një ditë, për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe bllokimit të rrugës, edhe ndihma e shpejtë ta ketë të pamundur të arrijë në kohë për t’ia shpëtuar jetën Nënës së UÇK-së, shqiptares katolike Stanë Pjetër Gashi!
Është e dhimbshme dhe shqetësuese që rruga e kësaj Nëne të madhe shqiptare vazhdon të mbetet e paasfaltuar, ndërkohë që shqetësimet për mungesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së saj gjatë dimrit mbeten serioze!
Në rast të një urgjence shëndetësore, çdo minutë është e çmuar dhe çdo pengesë në rrugë mund të bëhet rrezik për jetën!
Kryetar i Lipjanit Imri Ahmeti, asfaltimi, pastrimi dhe mirëmbajtja e kësaj rruge nuk janë vetëm çështje infrastrukture, por çështje sigurie, përgjegjësie institucionale dhe mbrojtjeje të jetës njerëzore!
Mos prisni që një tragjedi e mundshme të na kujtojë atë që duhet bërë sot!
Sepse rruga që sot mbetet e bllokuar nga bora, nesër mund të bëhet rruga që ia pamundëson ambulancës shpëtimin e një jete njerëzore!
Sipas familjes, Shtëpia e Shëndetit e Komunës së Lipjanit, që nga paslufta e UÇK-së, kurrë nuk ka dërguar një ekip mjekësor për t’u kujdesur për shëndetin e Nënës së UÇK-së, Stanë Pjetër Gashit, dhe familjes së saj!
Prishtinë 6 Nëntor 2026!




