Kosova mes propagandës së pushtetit dhe realitetit të qytetarëve, sipas vlerësimit të Evropës për gjendjen e shtetit
Shkruan: Hisen Berisha
Ky raport, po ti qasemi politikisht korrekt shkon përtej një përmbledhjes së gjetjeve të Komisionit Evropian.
Ai është një akt vlerësimi politik për mënyrën se si po qeveriset Kosova, për përgjegjësinë e institucioneve dhe për hendekun ndërmjet propagandës politike dhe realitetit të jetës së qytetarëve.
Megjithatë, ajo që bie në sy është se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë iniciativën që Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026 të debatohet në një seancë të veçantë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo çështje nuk e zëvendëson debatin për përmbajtjen e raportit, por është pjesë e kontekstit politik dhe të standardeve të transparencës e llogaridhënies që duhet të vlejnë për të gjithë.
(Notat përmbledhëse vlerësuese: kufizim, stagnim, pamjaftueshmëri, regres, papërspektivë, dështim në…, ngecje, papërgjegjësi, ndikime politike, nuk është shënuar përparim, papunësi, ikje, …, i vetmi resor zhvillime pozitive vetëm në polici që përcillën me ndërhyrje politike dhe pengim me moskrijimin e kushteve operative për shërbim)
Analizë:
Fokusi i vlerësimit të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 është vlerësimi i përparimit të Kosovës drejt BE-së.
Ai është edhe një pasqyrë e mënyrës se si funksionojnë institucionet tona, e përgjegjësisë së atyre që qeverisin dhe e hendekut gjithnjë e më të dukshëm ndërmjet propagimit politik dhe realitetit që përjetojnë qytetarët.
Ky Raport, duhet të lexohet përtej gjuhës diplomatike dhe formulimeve institucionale.
Ai nuk është thjesht një dokument teknik që evidenton se ku kemi përparuar dhe ku kemi ngecur në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Është një pasqyrë që na obligon të reflektojmë për gjendjen e shtetit, cilësinë e qeverisjes dhe përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve.
Mesazhi i përmbledhur i këtij raporti, me një fjali do të ishte, se Kosova ka potencial, në hapat e parë të rrugës së lirisë, ka marë orientime strategjike të qarta transatlaantik dhe evropiane dhe mundësi për zhvillim, por nuk po arrin t’i shndërrojë ato në rezultate të mjaftueshme për shtetin dhe shoqërinë.
Ndërsa komunikimi politik i pushtetit, përqendrohet në sukseset e pretenduara, në krahasimet shfajsuese me të kaluarën dhe në paraqitjen e çdo kritike për stagnim e munges suksesi si sulm politik, realiteti institucional dhe shoqëror kërkon përgjigje krejtësisht konkrete.
Qytetari nuk e mat suksesin e qeverisë me deklaratat e saj, por me mundësinë për të gjetur punë, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme, për të marrë shërbime shëndetësore, për t’i arsimuar fëmijët dhe për të pasur siguri për të ardhmen.
Prandaj, ky raport duhet të shërbejë si pikënisje për një debat serioz mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale, e jo si material për një tjetër garë propagandistike ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Kosova ka kaluar një periudhë të rëndë të paqëndrueshmërisë politike.
Zgjedhjet e përsëritura, bllokada në konstituimin dhe funksionimin e institucioneve, qeverisja me kompetenca të kufizuara dhe dobësimi i mbikëqyrjes parlamentare e kanë ngadalësuar procesin e reformave dhe kanë dëmtuar funksionimin normal të shtetit. Komisioni Evropian e evidenton këtë si një nga pengesat kryesore të përparimit të Kosovës.
Por problemi nuk përfundon te bllokada institucionale.
Ai shkon më thellë, te kultura e përgjegjësisë politike.
Një shumicë parlamentare nuk është dëshmi e aftësisë për të qeverisur, as një mandat zgjedhor nuk e liron pushtetin nga detyrimi për të bashkëpunuar me institucionet e tjera dhe me opozitën. Përkundrazi, sa më i madh të jetë pushteti politik, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia për funksionimin e shtetit.
Rënia e pjesëmarrjes në zgjedhjet e qershorit 2026 në 37 për qind është një tregues që meriton vëmendje të veçantë. Ajo nuk duhet interpretuar vetëm si çështje e mobilizimit elektoral, por edhe si sinjal për besimin e qytetarëve në procesin politik dhe në aftësinë e institucioneve për t’iu përgjigjur pritjeve të tyre.
Nuk mund të ndërtohet një shtet funksional mbi polarizim të përhershëm, përplasje politike dhe mungesë bashkëpunimi institucional.
Demokracia nuk është vetëm fitore në zgjedhje.
Ajo është edhe përgjegjësi për mënyrën se si ushtrohet pushteti, si mbikëqyret ai dhe si mbrohet interesi publik.
Kjo është një prej çështjeve që kërkon reflektim të veçantë nga qeverisja aktuale pra, dallimi ndërmjet kontrollit politik dhe përgjegjësisë shtetërore.
Shteti nuk është pronë e një partie, as institucionet nuk janë mekanizma për të dëshmuar epërsinë e një shumice parlamentare.
Edhe më shqetësues është vlerësimi për sundimin e ligjit. Komisioni Evropian konstaton se në funksionimin e gjyqësorit nuk është shënuar përparim domethënës, ndikimi politik dhe ekonomik në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë problem serioz, ndërsa rezultatet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme. Nuk evidentohet asnjë penalizim.
Këtu propaganda politike përballet me një test shumë konkret.
Nëse luftimi i korrupsionit është prioritet shtetëror, ku janë rezultatet përfundimtare?
Sa raste të profilit të lartë kanë përfunduar me vendime të formës së prerë?
Sa pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme është konfiskuar?
Sa është rritur besimi i qytetarëve se para ligjit janë të barabartë të gjithë?
Nuk mjafton të shpallet luftë kundër korrupsionit.
Nuk mjaftojnë konferencat për media, akuzat politike dhe numri i operacioneve policore.
Drejtësia matet me rezultate, me pavarësi institucionale dhe me zbatimin e ligjit pa dallim politik, ekonomik apo shoqëror.
As çështja e Dhomave të Specializuara nuk mund të trajtohet jashtë kësaj përgjegjësie.
Ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi dhe të kthyera për rishqyrtim nga Presidentja kanë gjetur vend në ketë raport si shqetësime në raport me pavarësinë e gjyqësorit, të drejtat procedurale dhe garancitë juridike.
Kjo çështje kërkon maturi, argumentim juridik dhe veprim institucional të koordinuar.
Kjo duhet interpretuar në mbrojtje të interesit shtetëror nga interpretimi historik, politik e juridik i shtetit.
Qëndrimi ndaj Dhomave të Specializuara, përfshirë kundërshtimet ndaj mënyrës së themelimit dhe funksionimit të tyre, nuk duhet të ngatërrohet me idenë se çdo ndërhyrje ligjore prodhon automatikisht drejtësi. Dinjiteti i luftës së UÇK-së dhe mbrojtja e të drejtave të të akuzuarve kërkojnë argumente juridike të qëndrueshme, diplomaci dhe përgjegjësi shtetërore. Prandaj, qëndrimi institucional ndaj këtyre dhomave mbetet brenda kornizave të arsyeshmërisë politike nëse jemi në komparacion kompetitiv dhe unison me qasje e Senatit dhe Shtëpis së bardhe ndaj përfaqësuesve individual brenda organit të akuzës dhe trupes gjykuese.
Kjo qasje komparative me SHBA qon në opsionin e zhbërjes së DHS, i cili nuk e konsideron arsyeshmërinë e bazes juridike, por me abrogimin e saj i defunsionalizon DHS dhe ZPS, kurse me derogimin e detyrimeve nga marrëveshja 2014 me BE, i kthen kompetencat Kuvendit të Kosovës.
Familjeve të të burgosurve nuk duhet t’u shitet shpresa e rreme përmes premtimeve të karakterit politik.
Ndërkohë, në fushën e sigurisë, raporti evidenton edhe zhvillime pozitive sa i përket rolit dhe mandatit të Policisë.
Policia e Kosovës ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe hetimet ndaj krimit të organizuar.
Përdorimi i sistemit SIENA të Europol-it, zgjerimi i strukturave të inteligjencës policore dhe përmirësimi i rezultateve në disa raste të krimit të organizuar janë dëshmi të punës profesionale që duhet njohur dhe mbështetur.
Shtrohet pyetja ku kemi ndërhyrje politike të drejtë përdtejtë? Pikërisht në segmentet që po e mbronin shtetin nga ndërhyrjet e tilla: Prokurori, Gjyqësor, Gjykatë Kushtetuese, Intelegjencë dhe Polici në të gjitha nivelet dhe njësitë sipas armës dhe misionit.
Është evidente, se rastet që krijuan pretekst me apo pa skenar, qeveria po i përdor për kapje institucionale nga qëndra në nivelet lokale, në emër të reformës kadrovike por edhe strukturore. Në vazhdimësi, po përballemi me ndryshimin e kuadrove drejtuese, shëbimeve policore, nga nivelet qëndrore deri te ato lokale.
Pra, njohja e rezultateve të evidentuara, nuk duhet të na pengojë të flasim për mangësitë.
Hetimet e rasteve të profilit të lartë, hetimet financiare, konfiskimi i pasurisë kriminale dhe kapacitetet teknologjike kërkojnë përmirësim.
Mbi të gjitha, Policia duhet të mbetet institucion profesional, i pajisur dhe i mbrojtur nga ndikimet politike.
Nuk mund të kërkojmë nga pjesëtarët e Policisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës të përmbushin detyra gjithnjë e më komplekse pa u siguruar pajisjet, uniformat, këpucët, mjetet operative, trajnimin dhe kushtet e nevojshme për punë.
Siguria nuk ndërtohet me deklarata dhe fotografi, por me investime të vazhdueshme dhe kapacitete reale.
Edhe zhvillimi i FSK-së duhet të vlerësohet në këtë kontekst. Pjesëmarrja në ushtrime të NATO-s, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në përspektivë, dhe angazhimi në misione ndërkombëtare janë hapa me rëndësi për ambicien e Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Por Komisioni Evropian është e qartë se kapacitetet tona institucionale dhe industriale ende nuk janë në nivelin e nevojshëm për t’i realizuar plotësisht këto ambicie. Aq më tepër po ti referohemi arritjes së KPO nëpër faza të objektivave sipas PGJT-së pyetja që shtrohet është se, a mund të deklarohen KPO të Forcës në vitin 2028???
Poashtu, çdo angazhim i FSK-së jashtë vendit duhet të paraprihet nga vlerësimi profesional i gatishmërisë, përzgjedhja e pjesëtarëve, përgatitja taktike, pajisjet dhe logjistika.
Ambicia për të qenë kontribuues në sigurinë ndërkombëtare duhet të ecë krahas kapaciteteve reale.
Partneriteti me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet element thelbësor i sigurisë së Kosovës dhe nuk duhet të trajtohet si çështje e zakonshme e komunikimit politik.
Por aty ku dallimi ndërmjet propagandës dhe realitetit bëhet edhe më i prekshëm është ekonomia.
Komisioni Evropian ka evidentuar stagnimin e rritjes ekonomike, dobësimin e konsumit familjar, problemet e investimeve publike, papunësinë dhe pjesëmarrjen e ulët në tregun e punës.
Këto përveçse tregues makroekonomikë, përkthehen në jetën e përditshme të familjeve, në vështirësitë për t’i përballuar shpenzimet mujore, në pasigurinë e punësimit dhe si pasoj largimin enorm të të rinjve për shka të të mos parit perspektivë në vendin e tyre.
Rritja e të hyrave buxhetore nuk është e njëjtë me zhvillimin ekonomik.
As rritja e shpenzimeve publike nuk është domosdoshmërisht zhvillim.
Pyetja që duhet t’i bëhet qeveris është se sa ka investuar në prodhim, sa vende të reja pune ka krijuar, sa e ka rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe çfarë perspektive u ka ofruar qytetarëve.
Një ekonomi që mbështetet kryesisht në konsum, importe dhe remitenca nuk mund të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm.
Kosovës i duhet ekonomi prodhuese, industri, bujqësi konkurruese, investime private dhe një klimë ku biznesi mund të zhvillohet pa pengesa administrative dhe pasiguri institucionale.
Edhe gjendja në sektorin e energjisë është një tregues i qartë i mungesës së reformave strukturore. Kjo as mund të arrihet pa ndërtuar asnjë kapacitet prodhues të energjisë, dhe pavarësimit energjetik të Kosovës.
Mbi 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga dy termocentrale të vjetruara me linjit. Prandaj, ndërprerjet, humbjet në rrjet dhe vonesat në investimet energjetike ndikojnë drejtpërdrejt në biznes dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkohë, që edhe pothuaj pas dy mandate vite qeverisjesh, në mandat tëplotë apo në detyrë, projektet për pavarësimin energjetik të Kosovës si “TEC i ri” dhe ai i “gasifikimit amerikan” janë bllokuar nga kjo qeveri, dhe projektet infrastrukturore strategjike që ka propaganduar vazhdojnë të mbeten prapa pritjeve.
Autostrada Prishtinë- Merdarë nuk ka filluar të ndërtohet, asnjë nga projektet e trashëguara infrastrukturor në procesim nuk janë përfunduar dhe mungon mirëmbajtja edomosdoshme, rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 ecën ngadalë, ndërsa lidhja hekurudhore Durrës-Prishtinë ende nuk ka kaluar nga studimi i fizibilitetit në realizim.
Këto projekte nuk janë luks dhe as dekor i programeve qeveritare. Janë nevoja ekonomike dhe strategjike të vendit.
Ato përcaktojnë konkurrueshmërinë, lidhjen me rajonin dhe mundësinë për të tërhequr investime.
Për këtë arsye, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për afatet, shpenzimet jo vetëm buxhetore por edhe në kohë dhe rezultatet e çdo projekti të shpallur si prioritet.
Në arsim dhe shëndetësi, dy sektorë që përcaktojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës dhe të ardhmen e shoqërisë, raporti evidenton përparim të kufizuar regresiv dhe reforma të papërfunduara.
Arsimi vazhdon të përballet me problemin e cilësisë, me mospërputhjen ndërmjet përgatitjes së të rinjve dhe kërkesave të tregut të punës, ndërsa shëndetësia mbetet në fazë të hershme të përgatitjes për reforma.
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me strategji që mungojnë apo dokumente që presin miratim. Kemi të bëjmë me të ardhmen e fëmijëve tanë dhe me dinjitetin e qytetarëve që kanë nevojë për shërbime shëndetësore cilësore. Një shtet që nuk arrin të garantojë arsim cilësor dhe shëndetësi funksionale e ka të vështirë të flasë bindshëm për zhvillim dhe standarde evropiane.
Në marrëdhëniet me Serbinë, në kontekst të dialogut KE insistojnë ndaj Qeverisë së Kosovës të përmbushë edhe detyrimet antikushtetuese që ka marë. Pra, raporti konstaton mungesë të përparimit të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Komisioni evidenton përgjegjësi te të dyja palët, por kjo nuk nënkupton se përgjegjësitë janë të njëjta apo se mund të maten me të njëjtin standard.
Serbia kritikohet pse vazhdon të mos ndërmarrë hapa domethënës për përgjegjësinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, një veprim që nuk e penalizon, pastaj vazhdon lobimin kundër anëtarësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe nuk ka treguar vullnetin e nevojshëm për përmbushjen e obligimeve të saj. Kjo duhet të mbetet çështje qendrore e diplomacisë sonë dhe e kërkesave ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Për çka kjo qeveri nga njohës vendor e ndërkombëtar shihet jo efektive as efikase.
Kosova duhet të kujdeset për koordinimin me aleatët dhe për zbatimin e obligimeve të veta në përputhje me Kushtetutën dhe interesat shtetërore. Marrëveshjet që prekin organizimin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit kërkojnë transparencë, debat institucional dhe garanci të qarta juridike. Dialogu nuk mund të jetë as proces i imponimit të njëanshëm dhe as arsyetim për veprime të pakonsultuara.
Në këtë kontekst, përafrimi i plotë i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian është një rezultat që duhet vlerësuar. Mbështetja për Ukrainën, përafrimi me qëndrimet evropiane dhe orientimi euroatlantik dëshmojnë se përcaktimi strategjik i Kosovës është i qartë. Por ky përcaktim duhet të shoqërohet me diplomaci më efektive, koordinim me partnerët dhe angazhim të vazhdueshëm për njohjen ndërkombëtare.
Nuk duhet harruar as çështja e 1,579 personave të pagjetur nga lufta. Pas kësaj shifre janë familje që presin të dinë fatin e më të dashurve të tyre. Përgjegjësia për zbardhjen e fatit të tyre dhe për drejtësinë ndaj viktimave duhet të mbetet kërkesë e pakushtëzuar e Kosovës ndaj Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar.
Në fund, raporti i Komisionit Evropian nuk duhet të përdoret as për të shpallur dështimin e përgjithshëm të Kosovës, as për të prodhuar një narrativë të rreme suksesi nga ana e qeverisë. Ai evidenton edhe përparime, edhe mangësi, por mbi të gjitha tregon se vendi ka ende shumë punë për të bërë. Dhe kjo është arsyeja pse debati duhet të përqendrohet te përgjegjësia, jo te propaganda.
Përgjegjësia kryesore për politikat publike dhe rezultatet e qeverisjes i takon ekzekutivit.
Por përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qeveria. Kuvendi duhet të ushtrojë mbikëqyrje reale, drejtësia duhet të jetë e pavarur, institucionet e sigurisë duhet të mbeten profesionale dhe opozita duhet të kontribuojë në proceset që lidhen me interesat strategjike të vendit.
Ajo që nuk mund të pranohet edhe më në politikat qeverisëse kosovare, është që mungesa e rezultateve të mbulohet me komunikim politik, që dështimet institucionale të relativizohen me krahasime të pafundme me të kaluarën dhe që çdo kërkesë për llogaridhënie të etiketohet si kundërshtim ndaj shtetit.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër garë se kush e zotëron të drejtën për të folur në emër të popullit. Ka nevojë për institucione që punojnë për popullin, për qeverisje që prodhon rezultate dhe për politikë që e vendos interesin shtetëror mbi interesin partiak.
Evropa nuk matet me numrin e herëve që përmendet në fjalimet e politikanëve. Ajo matet me drejtësinë që funksionon, me ekonominë që prodhon, me shkollën që edukon, me shëndetësinë që kujdeset për qytetarin, me Policinë dhe Ushtrinë që janë të përgatitura dhe me institucionet që mbajnë përgjegjësi.
Kosova nuk ka mungesë potenciali dhe as mungesë aspirate evropiane. Ajo ka nevojë për qeverisje që këtë potencial ta shndërrojë në mirëqenie, siguri dhe perspektivë për qytetarët. Sepse suksesi i një qeverie nuk matet me atë se sa bindshëm e paraqet veten, por me atë se sa dukshëm e përmirëson jetën e njerëzve dhe sa funksional e bën shtetin.
Materoali i analizuar është burim nga: Komisioni Evropian, Reporti për Kosovën 2026, 4 nëntor.



