Të shtëna masive në Krakov të Polonisë: Pesë të vrarë pasi një person hyri me veturë në sheshin kryesor dhe nisi të qëllonte
Pesë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën pasditen e sotme në sheshin kryesor të qytetit Krakov në Poloni. Autori i dyshuar i sulmit është plagosur nga policia dhe është dërguar në spital, njoftoi Policia e rajonit të Polonisë së Vogël (Małopolska).
Policia njoftoi në platformën X se rreth orës 15:00, një burrë hyri me veturë në sheshin kryesor të qytetit dhe nga automjeti nisi të qëllonte me armë zjarri ndaj kalimtarëve të rastësishëm.
Mes të plagosurve ka edhe pjesëtarë të policisë.
Në njoftimin e parë, policia bëri të ditur se sulmuesi ishte ndaluar, ndërsa në një njoftim të mëvonshëm sqaroi se ai ishte plagosur nga efektivët e policisë dhe ishte transportuar në spital.
Administrata komunale e Krakovit konfirmoi në platformën X incidentin me armë zjarri në sheshin kryesor, duke bërë të ditur se policia po zhvillon një operacion edhe në rrugën Dietla.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi në platformën X se policia po heton motivet dhe të gjitha rrethanat e sulmit, transmeton agjencia AP.
Autoritetet policore ende nuk kanë bërë të ditur motivin e sulmit dhe as identitetin e viktimave.
Krakovi është qyteti i dytë më i madh në Poloni, ndërsa sheshi i tij kryesor është një nga vendet më të vizituara në vend.



