Trump sheh pak gjasa për sulme të reja ndaj Iranit nëse bisedimet japin rezultate

09 nëntor 2026 | 15:18

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka “shumë pak gjasa” që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sulme të reja ajrore ndaj Iranit, për aq kohë sa ka përparim në procesin e paqes.

“Kjo varet nga fakti nëse [negociatorët iranianë] nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë”, tha Trump në një intervistë telefonike për CNN-in, më 8 nëntor.

“Përgjigjja është se ka shumë pak gjasa që [sulmet] të jenë të nevojshme”, shtoi ai, raporton REL.

Trump tha gjithashtu se, nëse sulmet rifillojnë, forcat amerikane i kanë identifikuar tashmë caqet e mundshme në infrastrukturën iraniane, përfshirë 38 ura, “të cilat mund t’i shkatërrojmë brenda vetëm një ore”.

Në një postim të veçantë në rrjetet sociale, Trump vlerësoi një operacion të quajtur “Task Force Iron Gate”, i cili, sipas tij, synon të pengojë transportimin e armëve të avancuara dhe mallrave të tjera që u nënshtrohen sanksioneve, përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.

Deklaratat e Trumpit vijnë në kohën kur të dyja palët kryejnë sulme të herëpashershme ndaj anijeve dhe objekteve bregdetare në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj.

Trump pranoi, gjithashtu, se lufta me Iranin ishte një nga arsyet e humbjeve të mëdha që pësoi Partia e tij Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, javën e kaluar.

Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili shihet si kandidat i mundshëm për ta pasuar Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, u shpreh më drejtpërdrejt, duke thënë se “arsyeja pse i humbëm [zgjedhjet], është lufta”.

Duke folur për gazetarët më 8 nëntor, Trump tha se “shumë njerëzve nuk u pëlqyen komentet e Vanceit për Iranin”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, një tjetër kandidat i mundshëm republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nuk komentoi drejtpërdrejt lidhjen mes luftës dhe rezultateve zgjedhore.

“Gjithçka që mund t’ju them është se presidenti i Shteteve të Bashkuara identifikoi një kërcënim shumë real ndaj këtij vendi, që kishte ekzistuar për një kohë të gjatë, dhe ndërmori veprime për ta adresuar atë”, tha Rubio.

Ai tha se nuk beson që një përparim vendimtar në negociatat e paqes është afër.

“Presidenti gjithmonë do të preferonte që ta zgjidhte këtë dhe çdo problem tjetër në mënyrë diplomatike. Fatkeqësisht, kjo nuk është e mundur gjithmonë. Por, nëse ekziston një mundësi, do ta shqyrtojmë. Për momentin, negociatat nuk kanë qenë shumë produktive, sepse kërkesat iraniane jo vetëm që janë të papranueshme, por në disa raste janë edhe të tepruara, absurde dhe krejtësisht jorealiste”, tha Rubio.

Trump u tha gazetarëve se pret të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet në Kinë javën e ardhshme.

Sipas tij, Irani do të jetë ndër temat e diskutimeve.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar gjatë vitit 2026, pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit ndaj caqeve në rajon.

Në qendër të përplasjes janë programi bërthamor dhe kapacitetet ushtarake të Iranit, të cilat Uashingtoni i konsideron kërcënim për sigurinë e tij dhe të aleatëve.

Irani, nga ana tjetër, i ka cilësuar sulmet ndaj territorit të tij si shkelje të sovranitetit.

Konflikti ka rritur shqetësimet edhe për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin botëror të naftës.

Përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë prej muajsh.

Pas një armëpushimi të përkohshëm në prill, SHBA-ja dhe Irani arritën në qershor një memorandum mirëkuptimi për hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje përfundimtare, por zbatimi i tij ngeci dhe sulmet rifilluan.

Aktualisht, mosmarrëveshjet kryesore lidhen me programin bërthamor iranian, heqjen e sanksioneve amerikane dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Teherani kërkon heqjen e bllokadës detare dhe të sanksioneve, ndërsa Uashingtoni këmbëngul që çështja bërthamore të jetë pjesë e negociatave.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në…