Presidentja Shiroka-Pula riorganizon zyrën, fotografitë dhe simbolet shtetërore marrin vendin e duhur
Zyra e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pësuar ndryshime në pamjen e saj të brendshme. Nga sot, në ambientet e Presidencës janë vendosur fotografi dhe elemente të tjera, ndërsa disa prej tyre janë zhvendosur në pozicione të reja.
Sipas fotografive të siguruara nga gazeta Epoka e Re, fotografia e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është vendosur në të njëjtin rend me portretet e ish-presidentëve të vendit: Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani.
Ndërkaq, fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova është zhvendosur në një pozicion më të përshtatshëm, mbi një tavolinë pune, përballë së cilës qëndrojnë mysafirët dhe delegacionet që vizitojnë zyrën e Presidentes.
Po ashtu, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës pritet të vendoset në pjesën ballore të zyrës.
Sipas informacioneve të siguruara nga Epoka e Re, këto ndryshime janë bërë me iniciativën e Presidentes Justina Shiroka-Pula, me qëllim të përmirësimit të pamjes së zyrës dhe vendosjes së secilit element, fotografie e simboli në hapësirën e duhur.





