Ministria e Ekonomisë konfirmon kërcënimin me armë zjarri ndaj një zyrtari nga kolegu i tij

09 nëntor 2026 | 18:52

Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se në objektin e saj ka ndodhur një incident, ku një zyrtar i kësaj ministrie dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili është edhe udhëheqësi i tij i drejtpërdrejtë.

Përmes një reagimi, Ministria ka bërë të ditur se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, ndërsa zyrtari i dyshuar është arrestuar pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse.

“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur se zyrtari i dyshuar ishte subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator, për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.

“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Ministria ka theksuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e çdo përgjegjësie eventuale disiplinore apo administrative.

“Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë”, thuhet në reagim.

Ministria ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë dhe se nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit deri në pranimin e raportit nga këto organe.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas…