Nuk jam i kënaqur me mbështetjen e qeverisë Kurti
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se nuk është aspak i kënaqur me mbështetjen e qeverisë Kurti. Ballazhi në këtë intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se Hani i Elezit ka nevojë për mbështetje konkrete nga qeveria, pasi buxheti i komunës është i pamjaftueshëm për realizimin e projekteve të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Kërkesat i kemi të shumta dhe të fushave të ndryshme, si të ambientit, infrastrukturës, shkollave etj. por, megjithatë, shumë pak kemi investime nga qeveria. Me buxhetin që kemi jemi duke i kryer punët tona, por mbështetja e qeverisë, për shkak të kapaciteteve buxhetore që ka në dispozicion, është e domosdoshme për komunën e Hanit të Elezit”, ka thënë Ballazhi.
Pavarësisht prej kësaj, Ballazhi ka bërë me dije se për vitin e ardhshëm kanë planifikuar realizimin e disa projekteve kapitale.
“Për vitin 2027 është planifikuar ndërtimi i çerdhes që si komunë shpresojmë shumë ta përfundojmë me grand qeveritar. Përpos çerdhes kemi planifikuar ndërtimin e sheshit të qytetit. Gjithashtu është projekti i muzeut të qytetit, ku duhet të përfundojë faza e dytë, por për shkak të procedurave, nuk ka përfunduar këtë vit. Pastaj është projekti ‘Bllaca ’99’, i cili është në faza të ndryshme. Për vitin e ardhshëm kemi planifikuar investime në infrastrukturën rrugore, sidomos në ato lokalitete ku është e nevojshme të intervenohet. Krahas kësaj kemi planifikuar ndërrimin e gypave kryesorë të ujësjellësit, pra rehabilitimin e rrjetit”, është shprehur Ballazhi.
Më tutje, Ballazhi ka thënë se ka bashkëpunim korrekt me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit.
Në këtë intervistë, Ballazhi, i cili është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Han të Elezit, ka folur edhe për zhvillimet brenda PDK-së dhe vendimin e Gjykatës Speciale për liderët e UÇK-së. Për PDK-në, Ballazhi ka thënë se pret që nga procesi zgjedhor të dalë më e fortë dhe më unike.
“Ne jemi duke punuar që t’i tejkalojmë vështirësitë që kemi dhe tani të shoshim se si do të ecim tutje pas zgjedhjeve që do të mbahen brenda partisë. Nga procesi zgjedhor pres të ketë rifreskim dhe forcim të partisë. Megjithatë, duhet të ketë angazhim maksimal që PDK-ja të dalë sa më e fuqishme dhe konkurruese nga zgjedhjet”, është shprehur Ballazhi.
Ndërsa sa i përket procesit gjyqësor në Hagë, Ballazhi ka thënë se vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka qenë i tmerrshëm. “Vendimi ka qenë i tmerrshëm. Ta them të drejtën kam pasur një besim te drejtësia ndërkombëtare, megjithatë nuk doli ashtu si prisja jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët. Pavarësisht kësaj, besoj se në fazën e apelit të hidhet poshtë vendimi i tmerrshëm i shkallës së parë i Gjykatës Speciale”, është shprehur Ballazhi.
Duke e përmbledhur procesin e deritashëm në Hagë, Ballazhi ka thënë se ka munguar mbështetja e institucioneve të Kosovës.
“Shteti do të duhej të ishte i angazhuar maksimalisht edhe për demaskimin e dëshmive të rreme që janë deponuar në Hagë. Unë nuk jam i kënaqur me angazhimin e shtetit. Fare nuk ka pasur angazhim të bartësve të institucioneve për ta mbrojtur luftën çlirimtare. Duke i mbrojtur ata burra do të mbrohej shteti i Kosovës dhe pastërtia e luftës për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Ballazhi.

“Epoka e re”: Z. Ballazhi, si është duke funksionuar sot komuna e Hanit të Elezit?
Ballazhi: Natyrisht sikurse të gjitha komuna e tjera edhe ne i kemi projektet e planifikuara me buxhetin ashtu siç e parasheh ligji. Në këtë drejtim, çdo buxhet i vitit vijues miratohet një vit më herët për të pasur mundësi që të bëhen planifikimet e duhura për realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me komunën. Prandaj në këtë drejtim parashohim projektet që janë të mundshme për t’u realizuar. Kemi shumë projekte të cilat nuk mund t’i implementojmë për shkak të kufizimeve buxhetore. Natyrisht të gjitha projektet që planifikohen në buxhet realizohen. Projektet që planifikohen realizohen nga buxheti i komunës, por në disa raste edhe nga grantet qeveritare dhe donatorët e ndryshëm. Kur jemi tek investimet, komuna e Hanit të Elezit ka nevojë për investime të shumta, por për shkak të buxhetit të limituar jemi të kufizuar. Vullneti, gatishmëria dhe projektet ekzistojnë, por jemi të penalizuar nga mungesa e buxhetit.
“Epoka e re”: Në bazë të buxhetit që kemi në dispozicion, cilat janë projektet kryesore që keni planifikuar t’i kryeni për vitin e ardhshëm?
Ballazhi: Për vitin 2027 është planifikuar ndërtimi i çerdhes që shpresojmë shumë ta përfundojmë me grand qeveritar. Përpos çerdhes, kemi planifikuar ndërtimin e sheshit të qytetit. Gjithashtu është projekti i muzeut të qytetit. Fillimisht duhet të përfundojë faza e dytë, por për shkak të procedurave nuk ka përfunduar këtë vit. Pastaj është projekti “Bllaca ’99”, i cili është në faza të ndryshme. Për vitin e ardhshëm kemi planifikuar investime në infrastrukturën rrugore, sidomos në ato lokalitete ku është e nevojshme të intervenohet. Krahas kësaj, kemi planifikuar ndërrimin e gypave kryesorë të ujësjellësit, pra rehabilitimin e rrjetit.
Hani i Elezit ka nevojë për mbështetjen e qeverisë
“Epoka e re”: Z. Ballazhi, sa jeni i kënaqur me bashkëpunimin ose përkrahjen që keni nga qeveria?
Ballazhi: Nuk jam i kënaqur me mbështetjen që na jap qeveria, pasi kemi nevojë dhe jo dëshira për përkrahje serioze financiare. Nevojat janë të mëdha, por mbështetja nuk është e duhur. Kemi realizuar projekte të ndryshme, por me shumë vështirësi.
“Epoka e re”: A keni bërë ndonjë kërkesë në nivelin qendror që të keni mbështetje për projekte të caktuara?
Ballazhi: Kërkesat i kemi të shumta dhe të fushave të ndryshme, të ambientit, infrastrukturës, shkollave etj. por, megjithatë, shumë pak kemi investime nga qeveria. Me buxhetin që kemi jemi duke i kryer punët tona, por mbështetja e qeverisë, për shkak të kapaciteteve buxhetore që ka në dispozicion, është e domosdoshme për komunën e Hanit të Elezit. Prandaj në këtë drejtim kemi vështirësi në bashkëpunimin dhe mbështetjen e qeverisë, sepse Hani i Elezit është komunë e cila është në kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe, natyrisht, meriton më shumë investime për transformim rrënjësor.
“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi juaj me opozitën në Hanin e Elezit?
Ballazhi: Hani i Elezit përfaqësohet në Kuvendin Komunal me katër parti politike. Me shumicën prej tyre jemi në bashkëpunim dhe nuk kemi ndonjë dallim politik sa i përket së ardhmes së komunës. Bashkëpunimi është korrekt. Natyrisht që kemi zëra kritikë edhe brenda partisë që drejtoj, por këtë e shoh si vlerë. Në Kuvendin Komunal asnjëherë nuk kemi pasuar pengesa që t’i shtyjmë projektet përpara. Në këtë drejtim, unë kam komunikim të përditshëm jo vetëm me përfaqësuesit e partive politike, por edhe me qytetarët të cilët i falënderoj për bashkëpunim dhe mirëkuptimin që tregojnë.
Nga procesi zgjedhor në PDK pres rifreskim dhe forcim të partisë
“Epoka e re”: Z. Ballazhi, si jeni duke e parë funksionimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në nivel vendi, pasi ju jeni edhe kryetar i Degës së PDK-së në Han të Elezit dhe anëtar i Këshillit Drejtues?
Ballazhi: Jemi në një fazë jo aq të mirë të funksionimit si parti, sepse na mungojnë udhëheqësit kryesorë të cilët kanë qenë edhe drejtues të luftës çlirimtare. Ne jemi duke punuar që t’i tejkalojmë vështirësitë që kemi. Të shoshim se si do të ecim tutje pas zgjedhjeve që do të mbahen brenda partisë. Nga procesi zgjedhor pres të ketë rifreskim dhe forcim të partisë. Megjithatë duhet të ketë angazhim maksimal që PDK-ja të dalë sa më e fuqishme dhe konkurruese nga zgjedhjet.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga procesi zgjedhor brenda PDK-së?
Ballazhi: Besoj se do të dalim shumë më të bashkuar për shkak se në zgjedhjet e brendshme partiake gjithmonë ka rifreskime dhe energji të reja. Personalisht mendoj se nga ky proces do të dalim shumë më të fuqishëm sesa jemi tani. I ftoj sidomos të rinjtë dhe të rejat që t’i bashkohen vizionit të PDK-së për të ardhmen e Kosovës. Mendoj se PDK-ja është partia e vetme e cila mund ta bëjë dallimin në qeverisje. Ketë e ka dëshmuar në të kaluarën, edhe pse propaganda kundër nesh ka qenë e madhe. Tashmë qytetarët e kanë kuptuar se adresa për transformimin e Kosovës është PDK-ja.

Vendimi i Hagës për liderët e UÇK-së ishte i tmerrshëm
“Epoka e re”: Kryetar, gjatë luftës çlirimtare keni qenë komandant i UÇK-së. Si e keni parë vendimin e Gjykatës Speciale për bashkëluftëtarët tuaj, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të cilët janë dënuar në shkallën e parë me 81 vjet burgim?
Ballazhi: Vendimi ka qenë i tmerrshëm. Ta them të drejtën kam pasur një besim te drejtësia ndërkombëtare, por nuk doli ashtu si prisja jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët. Pavarësisht prej kësaj, besoj se në fazën e apelit të hidhet poshtë vendimi i tmerrshëm i shkallës së parë të Gjykatës Speciale. Është e palogjikshme dhe absurde që çlirimtarët tanë të krahasohen me kriminelët e Serbisë të cilët kanë kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve. Ata burra dhe UÇK-ja ka luftuar vetëm kundër tyre dhe regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ju e keni parë se si shteti serb organizoi ceremoni shtetërore për varrimin e një krimineli dhe, në anën tjetër, dënohen çlirimtarët tanë. Kjo është e paimagjinueshme dhe nuk do koment.
“Epoka e re”: Gjatë këtyre viteve të procesit gjyqësor në Hagë, si e keni parë angazhimin e institucioneve të Kosovës? Sa kanë qenë në nivel të detyrës
Ballazhi: Jo aq sa duhet. Ose më mirë të them nuk kanë qenë fare në nivel të detyrës për ta ndihmuar procesin në Hagë dhe krerët e UÇK-së. Shteti do të duhej të ishte i angazhuar maksimalisht edhe për demaskimin e dëshmive të rreme që janë deponuar në Hagë. Unë nuk jam i kënaqur me angazhimin e shtetit. Fare nuk ka pasur angazhim të bartësve të institucioneve për ta mbrojtur luftën çlirimtare. Duke i mbrojtur ata burra, do të mbrohej shteti i Kosovës dhe pastërtia e luftës për liri dhe pavarësi. Falë luftës së UÇK-së, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Fatkeqësisht mund të them se veprimet e qeverisë kanë qenë të kundërta.
“Epoka e re”: Dyshoni se lidershipi aktual shtetëror është angazhuar kundër krerëve të UÇK-së?
Ballazhi: Sipas saj që është raportuar në medie, shihet se ka pasur edhe deponime të dëshmive të rrejshme edhe nga bartës institucionalë. Ne i kemi dëgjuar edhe në Kuvend se si në të kaluarën janë etiketuar krerët e UÇK-së. Po ashtu, vetë njerëzit e pushtetit kanë pranuar që kanë deponuar dosje në Hagë. Dhe kjo të bën të dyshosh se angazhimi institucional nuk ka qenë në mbështetje të krerëve të UÇK-së, por më shumë kundër tyre.
“Epoka e re”: Sipas jush, pse është punuar kundër krerëve të UÇK-së?
Ballazhi: Besoj se këtu kemi të bëjmë me një urrejtje të paarsyeshme kundër krerëve të UÇK-së. Po ashtu, kjo urrejtje ka të bëje edhe me faktin se ata dëshirojnë ta kenë një vend në histori pa asnjë mëritë. Kjo mendoj se është arsyeja. Djemtë dhe vajzat e UÇK-së e kanë shkruar historinë e Kosovës me luftën dhe sakrificën e tyre sublime. Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet as nga Gjykata Speciale dhe as nga dikush tjetër.
“Epoka e re”: Çfarë prisni në Apelin e Gjykatës Speciale në rastin e liderëve të UÇK-së, dhe si e keni parë themelimin e grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore për këtë çështje?
Ballazhi: Unë jam i prirë të besoj në institucione dhe në angazhimin institucional. Pres që ky grup punues ta bëjë punën e vet në mënyrë profesionale, edhe pse me shumë vonesë. Edhe tani është duke u vonuar. Megjithatë, duke u bazuar në gjyqtarët të cilët janë caktuar në këtë çështje gjyqësore, nuk pres shumë nga Gjykata e Apelit. Kam dyshimet e mia. Pavarësisht prej skepticizmit dhe mosbesimit tim, nëse vlerësohen drejt argumentet e mbrojtjes, krerët e UÇK-së duhet të jenë të lirë dhe të kthehen në Kosovë. Në këtë aspekt, grupi punues duhet ta bëjë punën e tij, pa vonesa dhe në funksion të ofrimit të fakteve se krerët e UÇK-së kanë qenë dhe janë vetëm çlirimtarë.
“Epoka e re”: Si e keni parë tërheqjen e Ligjit për Specialen, i cili fillimisht ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës me iniciativën e PDK-së, kishte shkuar për dekretim te presidentja, por është rikthyer përsëri në Kuvend me kërkesë të partisë së cilës i takoni?
Ballazhi: Kjo temë është politizuar shumë për interesa të caktuara, por nuk është keq që është kthyer në Kuvend. Nuk duhet të jemi pesimistë për kthimin e një ligji në Kuvend. Më mirë të kthehet dhe të plotësohet nëse ka nevojë. Nuk dua të hyj në hollësi se si ka shkuar procesi, por duhet të plotësohet për evitimin e ndonjë mangësie. Vlerësoj se ka ekspertë juridikë të mjaftueshëm të cilët do ta përmbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme.




