KUR POPULLI YT DIGJET NË FERR, NDËRSA TI PI SHAMPANJË ME PUSHTUESIN, MOS PRIT TË TË SHPALLIN HERO, E AS HUMANIST!
Autor: Lirim Gashi
Në historinë e njerëzimit ekzistojnë specie dykëmbëshe që nuk kanë nevojë për zoologë, për antropologë apo për historianë për t’u identifikuar.
Mjafton t’i shohësh në momentin kur populli i tyre vuan, ndërsa ata janë ulur në tryezat e pushtuesit, me gotat e shampanjës në duar, me buzëqeshjet servile në fytyrë dhe me ndërgjegjen e depozituar në ndonjë bankë luksoze.
Janë njerëzit që, për hir të kolltuqëve, privilegjeve, pasurisë dhe rehatisë personale, janë të gatshëm ta shndërrojnë tragjedinë e popullit të tyre në një zhurmë të padëshiruar në sfondin e jetës së tyre të bukur.
Disa i shërbejnë pushtuesit haptazi. Të tjerët kanë zgjedhur një zanat edhe më të neveritshëm: bashkëpunimin tinëzar përmes heshtjes dhe indiferencës.
Nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk kuptojnë dhe, kur është e nevojshme, madje as nuk mbajnë mend.
Kanë ndërtuar një filozofi të tërë mbi artin e mosreagimit, një shkencë të specializuar të verbërisë morale dhe një akademi të heshtjes selektive.
Natyrisht, kjo sëmundje u shfaqet vetëm kur viktimë është populli i tyre.
Kur u rrezikohen interesat personale, papritur u rikthehen shikimi, dëgjimi, kujtesa, inteligjenca dhe instinkti i mbijetesës.
Unë nuk kam asnjë respekt për këtë kategori njerëzish.
Përkundrazi, ua uroj me gjithë shpirt një biletë pa kthim për në rrethin e shtatë të purgatorit.
Sikur Dante ta kishte parashikuar një program besnikërie për udhëtime të tilla, do t’ua paguaja edhe biletën e kthimit. Jo që të ktheheshin, por që të mos ankoheshin se u ishte ofruar vetëm një drejtim.
Sepse çfarë mund të jetë më e neveritshme sesa ta shohësh popullin tënd të poshtërohet, të dhunohet, të burgoset, të vritet, të përdhunohet e të shfaroset, ndërkohë që ti i buzëqesh atij që e ushtron dhunën?
Çfarë mund të jetë më absurde sesa të pretendosh se je humanist, ndërkohë që humanizmin e keqpërdor si parfum për ta mbuluar erën e rëndë të frikës, të oportunizmit dhe të interesit personal?
Dhe jo, nuk është e domosdoshme ta kesh tërhequr vetë këmbëzën e armës për të qenë moralisht i gërditshëm. Mjafton ta kesh parë dhe kuptuar krimin, të kesh pasur mundësi të mos e normalizosh dhe, megjithatë, ta kesh zgjedhur rehatinë tënde.
Ka heshtje që burojnë nga frika. Ka heshtje që janë pasojë e pafuqisë. Por ka edhe heshtje që e përbëjnë formën më të sofistikuar të bashkëfajësisë.
Dhe këto të fundit zakonisht vijnë të veshura me kostume të shtrenjta, me fjalor diplomatik dhe me një buzëqeshje aq të kultivuar, saqë edhe vetë hipokrizia ndihet e turpëruar kur ulet pranë tyre.
Pastaj, kur festa përfundon, këta zotërinj kthehen në shtëpi, rregullojnë kravatën para pasqyrës dhe i japin vetes një diplomë morale me titullin:
“Unë nuk e kam vrarë askënd.”
Sa e mrekullueshme!
Pra, sipas kësaj logjike, nëse nuk e ke vrarë viktimën me duart e tua, mund të kesh pirë edhe shampanjë me atë që e vrau, pa e humbur asnjë pikë nga reputacioni yt humanist.
Ua qifsha të gjitha kromozomet e kalbura morale njerëzve që kanë botëkuptime të tilla!
Por, fatmirësisht, historia nuk përbëhet vetëm nga kjo kategori e mjerë. Ka pasur dhe ka njerëz që nuk e kanë nxjerrë në ankand shtyllën e tyre kurrizore, që nuk e kanë shitur ndërgjegjen për një privilegj dhe që nuk e kanë ndërruar dinjitetin me një ftesë në tryezën e pushtetit.
Njëri prej tyre, për të cilin kam një admirim të jashtëzakonshëm njerëzor, është Nasim Haradinaj.
Dhe dua ta them qysh në fillim:
Nuk po flas për një njeri që e ka zbuluar atdhetarinë vetëm pasi ajo është bërë e leverdishme, as për një patriot të prodhuar në fabrikat e marketingut politik, pasi rreziku ka kaluar dhe pasi fotografia me flamur është shndërruar në një investim të sigurt për karrierë.
Po flas për një njeri që e ka njohur çmimin e qëndresës kur ishte ende shumë i ri, në një kohë kur liria nuk ishte dekoratë për t’u varur në mur, por një ëndërr për të cilën mund të përfundoje në burgjet më famëkeqe të Jugosllavisë.
Në prill të vitit 1981, në orën një pas mesnate, kur represioni jugosllav po i godiste pa mëshirë shqiptarët e Kosovës, Nasim Haradinaj u arrestua së bashku me familjarët e tij. Në mesin e tyre ishin edhe babai i tij, Smajl Haradinaj, dhe motra e tij, Shqipja.
Nasimi u dënua me pesë vjet burgim, ndërsa babai i tij, Smajl Haradinaj, me katërmbëdhjetë vjet. Por absurdi kriminal i atij sistemi nuk përfundoi me shqiptimin e dënimeve. Megjithëse ishte i mitur, Nasimin e dërguan në burgjet famëkeqe për të rritur, në Leskoc dhe në Nish.
Përfytyrojeni pak këtë pamje:
Një i ri, i cili duhej të mësonte në shkollë, të rritej në mirëqenie dhe t’i ndërtonte ëndrrat e tij, përfundon në kazamatet e një regjimi që kishte vendosur ta ndëshkonte edhe rininë e tij vetëm pse kërkonte liri.
Ndërsa familja përjetonte burgosjen, torturat dhe shkatërrimin e jetës së saj, edhe vëllai i tij, Agron Haradinaj, u përball me represionin policor në një moshë jashtëzakonisht të re.
Në kohën e arrestimit dhe dënimit, Agroni ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç dhe ishte i burgosuri më i ri politik në Evropë.
Pra, nuk kemi të bëjmë me një histori të zakonshme arrestimesh. Kemi të bëjmë me një familje të tërë të vënë në shënjestër të një makinerie shtetërore represive, me fëmijë të arrestuar, me një baba të dënuar me katërmbëdhjetë vjet burg dhe me një rini të shkatërruar nëpër kazamate.
Kjo nuk është atdhetari e dëshmuar pas luftës nëpër studio televizive. Kjo është një pjesë e një biografie tronditëse, e paguar me lirinë dhe me vitet më të bukura të jetës.
Dhe Nasimi nuk e ndërpreu angazhimin e tij për Kosovën.
Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, në mërgatë, në Suedi, u angazhua për organizimin e shqiptarëve, për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar dhe për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitin 1998 u kthye në Kosovë për të marrë pjesë në luftë. U plagos në front, por nuk e braktisi rrugën që kishte zgjedhur. Më vonë u angazhua në organizimin e Brigadës 138, që lidhet me njërin prej kapitujve më të rëndësishëm të luftës sonë, me Betejën e Koshares.
Mund të kesh mendime të ndryshme për politikën, për strategjinë ushtarake, për vendimet e individëve dhe për mënyrën se si është zhvilluar lufta. Kjo është e drejtë legjitime.
Por kurrë nuk mund të pretendosh se Nasim Haradinaj e ka ndërtuar identitetin e tij kombëtar mbi indiferencën dhe mbi rehatinë personale.
Kurrën e kurrës.
Ai e ka kaluar rininë në burgjet e Serbisë, e ka parë familjen të shkatërrohet nga represioni, është kthyer në Kosovë për të luftuar dhe është plagosur në front.
Këto nuk janë merita që mund t’i porositësh në ndonjë agjenci marketingu. Nuk mund t’i blesh me para, nuk mund t’i fitosh me një vendim partie dhe nuk mund t’i fabrikosh me një fotografi të realizuar në momentin e duhur.
Dhe pastaj erdhi Haga.
Kur Nasim Haradinaj u dërgua para Dhomave të Specializuara, historia e tij nuk fillonte në vitin 2020. Ajo kishte filluar shumë dekada më parë, në burgjet e Jugosllavisë, në torturat barbare ndaj tij, në represionin tronditës ndaj familjes së tij dhe në luftën për çlirimin e Kosovës.
Ai u përball me padrejtësinë ndërkombëtare dhe u dënua për vepra penale që, sipas bindjes sime, nuk i kishte kryer kurrë.
Nuk kam ndërmend ta paraqes askënd si të paprekshëm nga ligji. Drejtësia nuk duhet të jetë privilegj i askujt dhe as një biografi e lavdishme nuk e përjashton njeriun nga përgjegjësia ligjore.
Por një gjë duhet kuptuar:
Një vendim gjyqësor i padrejtë nuk mund ta fshijë kurrë historinë e lavdishme të jetës së një njeriu.
Nuk i zhduk vitet e burgut, nuk i shëron plagët, nuk ia kthen rininë e grabitur dhe nuk e shndërron të kaluarën e tij në një fletë të bardhë.
Mund të kem rezerva për ndonjë qëndrim politik të Nasimit, mund të mos pajtohem me çdo fjalë të tij dhe mund ta kritikoj kur e konsideroj të nevojshme. Por nuk kam asnjë arsye ta mohoj atë që e ka dëshmuar me jetën e vet.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet Nasimit dhe atyre që po i kritikoj në këtë shkrim.
Nasimi e ka njohur burgun kur ishte ende i ri, këta burracakë e kanë njohur luksin duke i buzëqeshur pushtuesit. Nasimi e ka paguar qëndrimin me lirinë e vet, këta burracakë e kanë shitur qëndrimin për të mos i humbur privilegjet. Nasimi është përballur me represionin, këta burracakë janë përpjekur të mos e shohin atë, për aq kohë sa nuk ua ka prishur rehatinë.
Nasimi ka një jetë që dëshmon se çfarë do të thotë të mos dorëzohesh përballë presionit. Këta burracakë e kanë një biografi që dëshmon se deri ku mund të bjerë njeriu kur e ka barkun plot, ndërsa ndërgjegjen bosh.
Dhe nëse do të më duhej të zgjidhja se cilin prej këtyre dy llojeve të njerëzve do të dëshiroja ta kisha pranë në një moment tragjedie kombëtare, përgjigjja ime do të ishte aq e qartë, saqë nuk do të kishte nevojë as për referendum.
Gjithmonë do ta zgjidhja Nasimin, njeriun që nuk e përkul kurrizin.
Sepse nuk më impresionojnë njerëzit që dinë të flasin bukur për humanizmin, ndërkohë që janë të gatshëm të pinë shampanjë me ata që shkelin mbi dinjitetin e popullit të tyre. Nuk më impresionojnë as ata që e matin atdhetarinë me interesin e çastit dhe moralin me numrin e privilegjeve që u ofrohen.
Më impresionojnë njerëzit që kanë ditur të qëndrojnë në këmbë edhe atëherë kur gjunjëzimi ishte shumë më i leverdishëm.
Dhe Nasim Haradinaj, me gjithë kompleksitetin e figurës së tij dhe pa pretenduar se është i pagabueshëm, përfaqëson për mua pikërisht një shembull të tillë.
Nuk është e nevojshme të pajtohesh me të për gjithçka për t’ia njohur qëndresën. Nuk është e nevojshme ta adhurosh politikisht për të respektuar çmimin që ka paguar. Dhe nuk është e nevojshme të jesh pjesë e së njëjtës parti, organizatë apo ideologji për të kuptuar se çfarë do të thotë të mos e shesësh dinjitetin për një pjatë privilegjesh.
Në fund të fundit, historia nuk i mban mend njerëzit vetëm për atë që kanë thënë, por edhe për atë që kanë bërë kur fjala ka pasur çmim.
Disa kanë pirë shampanjë me pushtuesin, ndërsa populli i tyre digjej.
Të tjerë kanë përfunduar në burgjet e pushtuesit, sepse nuk kanë pranuar të heqin dorë nga liria.
Dhe këto dy biografi nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore morale.
Sepse një gotë shampanjë mund të blihet me para, një kolltuk mund të fitohet me servilizëm dhe një dekoratë mund të sigurohet përmes ndikimit. Por shtylla kurrizore nuk shitet në asnjë treg, sado i pasur të jetë blerësi.
Unë e di shumë mirë se cilën anë të kësaj historie e respektoj.



