KPK dhe KGJK diskutojnë për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në sistemin e drejtësisë

10 nëntor 2026 | 13:59

Përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë, sfidat në proceset e rekrutimit dhe mundësitë për integrim e avancim profesional në institucionet e drejtësisë ishin në fokus të konferencës “Sfidat dhe përgjegjësitë në përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”.

Konferenca u organizua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Në të morën pjesë kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, anëtarë të të dy këshillave, prokurorë, gjyqtarë dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë nga administratat e të dy këshillave.”

Në fjalën e tij, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, theksoi se përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë nuk është vetëm detyrim ligjor dhe kushtetues, por edhe një element i rëndësishëm për besueshmërinë institucionale, legjitimitetin dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Ai ritheksoi përkushtimin e KPK-së për mundësi të barabarta në rekrutim, zhvillim dhe avancim profesional, duke theksuar se përfaqësimi nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin numerik, por të sigurojë edhe integrim të plotë dhe përfshirje aktive të komuniteteve jo shumicë në përgjegjësitë institucionale. Në këtë drejtim, ai theksoi synimin e KPK-së për një sistem prokurorial gjithëpërfshirës, profesional dhe të barabartë, në të cilin çdo qytetar, pa dallim të përkatësisë komunitare, të ketë besim dhe të ndihet i përfaqësuar.

Në këtë kontekst, Gashi bëri të ditur se KPK-ja ka shpallur konkurs për 34 pozita për prokurorë të shtetit, prej të cilave 10 janë të rezervuara për komunitetin serb.

Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet KPK-së, KGJK-së dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke theksuar se diskutimet e kësaj konference duhet të rezultojnë me rekomandime dhe hapa konkretë për përmirësimin e përfaqësimit dhe integrimit të komuniteteve jo shumicë. Gjithashtu, theksoi rëndësinë e raportit për përfaqësimin e këtyre komuniteteve në sistemin e drejtësisë, i cili do të ofrojë një pasqyrë më të qartë të gjendjes aktuale dhe do të ndihmojë në identifikimin e fushave ku nevojiten veprime të mëtejshme institucionale.

Në konferencë mori pjesë edhe Ambasadori dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, i cili në fjalën e tij përshëndeti organizimin e kësaj konference dhe vlerësoi nismën e përbashkët të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për trajtimin e çështjeve që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në sistemin e drejtësisë.

Ndërkaq, anëtarja e KPK-së dhe kryesuesja e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive, Arlinda Muqa, duke folur edhe nga perspektiva e saj si pjesëtare e komunitetit rom, theksoi se sfida kryesore nuk qëndron vetëm në garantimin ligjor të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë, por në zbatimin e këtyre garancive në praktikë.

Ajo nënvizoi se përfaqësimi i mirëfilltë kërkon krijimin e mundësive të barabarta për qasje në arsimim, punësim, avancim profesional dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse. Sipas saj, përfaqësimi nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje statistikore, por duhet të shoqërohet me përfshirje aktive, përgjegjësi institucionale dhe mundësi reale për zhvillim profesional.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Duke u bazuar në nenin 7 të Udhëzimin Administrativ (MMPHI)…