Fitore e rëndësishme dhe dramatike e Vëllaznimit ndaj kampionit
Vëllaznimi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi e mposhti kampionin aktual, Kastriotin e Ferizajt me rezultatin 34:33.
Ndeshja derbi e xhiros së shtatë ishte ashtu si pritej – e fortë dhe dramatike. U vendos vetëm në aksionet e fundit.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:14. Edhe pjesa e dytë ishte e fortë dhe kryesisht e barabartë. Fillimisht ferizajasit ishin në epërsi të lehtë, kurse vendasit barazonin. Më pas Vëllaznimi doli para. Vetëm në minutën e 55-të gjakovarët ia dolën të shkëputen në tri gola, 31:28, e më pas edhe në katër, 34:30. Kastrioti u afrua në 34:33, por pa barazuar.
Kështu fitorja e madhe i takoi Vëllaznimit.
Mali Luzha shkëlqeu te Vëllaznimi me tetë gola. Aloja tjetër, Granit Kadiri, ishte më efikasi me dhjetë gola. Gjashtë i realizoi Çlirim Rama.
Eray Karakoç i realizoi nëntë gola për Kastriotin, kurse tetë i kishte Alban Haziri.
Vëllaznimi me fitore doli në vendin e tretë me tetë pikë. Ka katër fitore e dy humbje. Kastrioti bie në vendin e katërt me gjashtë pikë. Ka tri fitore e tri humbje.



