Formimi i Qeverisë në Izrael: Mësimet për Kosovën

11 nëntor 2026 | 16:38

Shkruan: Arton Salihi

Rasti “Izrael”

Një zhvillim me rëndësi të veçantë politike dhe kushtetuese u shënua ditëve të fundit në Izrael: Presidenti Herzog i ngarkoi Gadi Eisenkotit, subjekti i të cilit (Yashar) kishte dalë i dyti në rezultatin zgjedhor, detyrën e formimit të qeverisë së re. Në këtë mënyrë, Benjamin Netanyahu, subjekti i të cilit (Likud) kishte dalë i pari në rezultanin zgedhor, nuk iu dha e drejta për formimin e qeverisë. Tani, natyrshëm shtrohet pyetja se: përse Presidenti Herzog nuk e respektoi vullnetin e qytetarëve të shprehur në rezultatin zgjedhor, dhe t’i ngarkonte Netanyahut detyrën për formimin e Qeverisë së re?

Pushteti shtetëror në Izrael organizohet mbi bazën e sistemin qeverisës parlamentar, që nënkupton se atje, njësoj si në Kosovë, ekziston një bashkim parlamentar ndërmjet pushtetit legjislativ (Knessetit) dhe pushtetit ekzekutiv (Qeverisë). Në këtë drejtim, anëtarët e Qeverisë izraelite marrin besimin nga anëtarët e Knessetit, ndaj dhe mbeten politikisht përgjegjës para tyre. Kështu, procesi i formimit të qeverisë përfaqëson një moment të rëndësishëm, nganjëherë edhe të ndërlikuar, për funksionimin e sistemit parlamentar. Kjo ndodhë për shkak se në këtë proces ndeshen (ballafaqohen) dy dimensione të demokracisë përfaqësuese: a). Vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve; dhe, b). Aftësia e përfaqësuesve të zgjedhur për të krijuar një shumicë parlamentare. Sigurisht, çdo sistem zgjedhor, cilido qoftë, ka për qëllim vetëm zgjedhjen e trupave përfaqësuese (deputetët), ndërsa vendimet e këtij trupi gjithnjë duhet të mirren në bazë të parimit të shumicës – varësisht se cilës, asaj relative apo absolute. Ndaj, në një formë, edhe zgjedhja (institucionalizimi) i Qeverisë, në vetvete përbën një vendim që mirret mbi bazën e atij parimi. Tani, çështja që lind këtu është se: nëse pas përfundimit të zgjedhjeve, rezultati zgjedhor vë në pah se asnjë subjekt politik nuk ka fituar një shumicë absolute (gjysmën e anëtarëve në Parlamentit), atëherë kujt i takon e drejta për formimin e Qeverisë?

Sigurisht, përgjigjen e kësaj pyetje mund ta gjejmë edhe në ngjarjen e fundit, siç bëm të ditur më sipër, në Izrael. Parlamenti izraelit (Knesseti), ka përbërje prej njëqind e njëzet (120) deputetësh, dhe zgjedhjet e fundit parlamentare kishin nxjerrë këtë rezultat zgjedhor: Blloku i udhëhequr nga Netanyahu mori 43.8% të votave, që në numra deputetësh i bije 53 mandate; dhe, Blloku i udhëhequr nga Eisenkoti mori 37.8% të votave, që në numra deputetësh i bije 48 mandate, etj. Pra, siç edhe kuptohet, asnjë subjekt politik nuk e kishte fituar shumicën absolute (minimalisht 61 deputet), në Knesset. Ndaj, siç e do rregulli, Presidenti, për realizimin e kompetencës së tij lidhur me çështjen se kujt t’ia jap të drejtën për formimin e Qeverisë, zhvilloi një sërë konsultimesh me liderë të ndryshëm politik. Pas konsultimeve, Presidenti Herzog kishte njoftuar se, në njërën anë, gjashtëdhjetë e shtatë (67) anëtarë të Knessetit kishin rekomandur që Gadi Eisenkot të ngarkohet me detyrën e formimit të qeverisë së re, ndërsa, në anën tjetër, katërdhjetë e shtatë (47) anëtarë kishin rekomanduar që Benjamin Netanyahu të ngarkohet me atë detyrë. Kështu, Presidenti Herzog kishte njoftuar se të drejtën për formimin e Qeverisë së re do t’ia jeptete Eisenkotit, dhe ashtu bëri më 8 nëntor 2026. Në këtë ditë, lidhur me dhënien e kësaj të drejte, Presidenti u shpreh, se: “… pas konsultimeve që kam zhvilluar gjatë ditëve të fundit me përfaqësues të ndryshëm politikë, rezulton se z. Eisenkot ka siguruar mbështetjen e qartë dhe të pakontestueshme të shumicës së anëtarëve të Knessetit lidhur me çështjen thelbësore: cili kandidat ka perspektivën më të madhe për të formuar qeverinë e ardhshme dhe për të siguruar besimin e Knessetit.”. Madje, ai shtoi se: “Jam plotësisht i vetëdijshëm se Likud-i përbën fraksionin më të madh në Knessetin e dalë nga zgjedhjet. Këtë e kam theksuar edhe gjatë konsultimeve. Megjithatë, duke u mbështetur si në faktet e paraqitura më sipër, ashtu edhe në precedentët e qartë të vendosur nga paraardhësit e mi, të cilët në disa raste ia kanë besuar formimin e qeverisë kryetarit të një partie që nuk ishte partia më e madhe parlamentare, kam vendosur, siç e theksova, t’ia besoj Gadi Eisenkotit detyrën e formimit të qeverisë.”. Pra, siç rezulton, roli i Presidentit është të sigurojë integritetin dhe rregullsinë e procedurës kushtetuese për formimin e Qeverisë, duke garantuar zhvillimin e saj në përputhje me kushtetutën.

Në këtë rast, shpërfaqen dy nocione që shpesh ngatërrohen: a). Fitorja në zgjedhje; dhe, b). Shumica parlamentare. Pra, e para duhet kuptuar në dritën e argumentimit se ajo përcakton vetëm rezultatin e garës zgjedhore, ndërsa e dyta përcakton mundësinë për të krijuar dhe mbajtur në detyrë një Qeveri. Është e mundur që të dy këto nocione të përputhen mes vete, por, megjithatë, ato përbëjnë kategori të ndryshme dhe të dallueshme kushtetuese. Madje, siç pamë, ndonëse grupi i Netanyahut kishte fituar 53 mandate, atë, për formimin e Qeverisë, e rekomanduan vetëm 47 deputet. Kjo nënkupton se deputetët, pavarësisht rezultatit zgjedhor, gëzojnë një mandat të lirë – jo të detyrueshëm. Pra, vullneti i tyre nuk paracaktohet nga rezultati zgjedhor, për atë dhe është e mundur që pas zgjedhjeve, edhe nëse një subjekt i vetëm ka fituar një shumicë absolute, ta zëmë 68 mandate, të mos gëzoj të drejtën për formimin e qeverisë, sepse vet subjekti mund të pësoj fraksion të brendshëm, dhe kështu e humbet aftësinë për të shprehur një shumicë të qartë dhe të qëndrueshme parlamentare. Për atë dhe Presidenti është i ngarkuar me detyrën që, nëpërmjet konsultimeve, të identifikoj se kush e përbën shumicën në Kuvend, dhe më pas t’ia jap të drejtën.

Rasti “Kosovë”

Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndjek një mënyrë të ngjashme me atë të Izraelit lidhur me caktimin e kandidatit që do ta formojë Qeverinë. Sipas nenit 84 paragrafi 14 dhe nenit 95, kërkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës që t’i propozoj Kuvendit të Republikës një kandidat për Kryeministër i cili propozohet nga shumica e vet Kuvendit. Mirëpo, në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktgjykimin Nr. KO103/14, dhe më pas të mbështetur nga ai Nr. KO72/20, u rrënua kjo logjikë, dhe u deformua procedura nga: “kandidati që propozohet prej shumicës së Kuvendit”, drejt: “subjektit që ka dalë i pari në rezultatin zgjedhor”. Ky deformim nuk mbeti pa pasoja, këtë na e bënë të ditur rasti kur pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, Presidentja e asaj kohe – znj. Vjosa Osmani-Sadriu – i propozoi Kuvendit dy herë radhazi kandidatët që paraprakisht nuk gëzonin mbështetjen e shumicës në Kuvend, dhe në këtë mënyrë, ata dështuan ta merrnin besimin e shumicës në Kuvend, dhe më pas vendi shkoi në zgjedhje.

Njësojë si në Izrael, edhe në Kosovë e drejta për zgjedhjen e Qeverisë i takon Kuvendit. E drejta e Presidentit në këtë proces kushtetues konsiston vetëm në faktin se ai i propozon Kuvendit një kandidat që propozohet nga shumica parlamentare. Pra, kur deputetët duan që të realizojnë të drejtën e tyre, për të marrë pjesë në drejtimin dhe ushtrimin e pushtetit ekzekutiv, ata duhet që fillimisht të bëjnë një kërkesë juridike tek Presidenti, dhe më pas nëse ky konstaton (identifikon) se kërkesa është bërë nga shumica, atëherë ua jep atë të drejtë. Kështu, pasi të jepet kjo e drejtë, dhe përbërja e propozuar nga kandidati për Kryeministër merr besimin nga shumica e Kuvendit, atëherë marrëdhënia mes Qeverisë dhe Kuvendit, siç theksuam, merr natyrë politike.

Mësimet për Kosovën

Përvoja izraelite, për Kosovën, ofron një shembull të mirë krahasimi, për arsye se: para se Presidenti kosovar t’i propozoj Kuvendit një kandidat për Kryeministër, ai duhet që paraprakisht të zhvilloj një proces serioz konsultimesh, në mënyrë që të identifikoj (konstatoj) se kandidati për Kryeministër mbështetet (rekomandohet) nga shumica e Kuvendit. Në të kundërt, nëse Presidenti kosovar vazhdon të veproj sipas atyre dy aktgjykimeve të theksuara më sipër, kjo nënkupton një ndikim në vullnetin e deputetëve të Kuvendit. Pra, në vend që vullneti i deputetëve që përbëjnë shumicën, t’i paraprijë nxjerrjes së dekretit të Presidentit për dhënien e së drejtës për formimin e qeverisë, dekreti i Presidentit ndikon në vullnetin e deputetëve për krijimin e shumicës me subjektin që ka dalë i pari në rezultatin zgjedhor. Një logjikë si kjo, së pari është në kundërshtim me vetë logjikën e sistemit parlamentar, dhe më pas, në kundërshtim me Kushtetutën (2008).

Prandaj, institucionet kosovare duhet që sa më parë t’i kthehen Kushtetutës, dhe të funksionojnë mbi bazën e atyre vlerave që ka përbrendësuar ajo me miratimin e saj. Kështu, e drejta për formimin e qeverisë nuk duhet të jetë një shpërblim për renditjen zgjedhore, kjo e drejtë duhet të mbetet e drejtë që fitohet si rezultat i aftësisë politike për krijimin e një shumice parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përplasje të ashpra janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës mes…