Manifest Politik
Shkruan: Altin N. Ademi
Kosova nuk është vetëm një territor në hartë dhe kuptimi i saj nuk kufizohet vetëm në historinë e një populli që ndër breza qëndroi dhe sakrifikoi për liri. Ajo madje ka një kuptim më të gjerë sesa thjesht ai i një shteti të pavarur e sovran, të lindur nga një aspiratë historike që u mbajt gjallë përmes rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare të UÇK-së, me mbështetjen e aleatëve tanë.
Kosova, para së gjithash, është atdhe.
Një atdhe që ekziston në mendjet e atyre që kanë dhënë më të shtrenjtën për të, si dhe të atyre që e kanë jetën të lidhur me të dhe me të ardhmen e saj. Një atdhe ku jeta ka qëllim përtej ekzistencës, ku qytetari mund të ndërtojë konkretisht të ardhmen e vet dhe ku gjithsecili është i lidhur me të përmes një vizioni të përbashkët historik që synon ngritjen e saj si shtet sovran e unitar në rrafshin juridik, si dhe si shtet i lirisë, zhvillimit e emancipimit në rrafshin botëkuptimor e përmbajtësor.
Lidhja e njerëzve me Kosovën është e thellë dhe ndjenjat e tyre ndaj saj janë të forta e të pathyeshme. Megjithatë, ato shpesh kufizohen nga një realitet që nuk mundëson kuptimin dhe materializimin e këtyre ndjenjave. Një i ri e përjeton ndryshe atdheun kur aftësia e tij vlen më pak se një lidhje politike. Një familje e përjeton ndryshe atdheun kur puna mezi ia mbulon jetesën dhe asaj i duhet të heqë dorë nga çdo plan për të ardhmen. Edhe ai që dëshiron të hapë një ndërmarrje e kupton sa e brishtë është liria e tij kur e tërë ambicia e tij varet nga vullneti i një pushtetari. Në këto përvoja të përditshme merr natyrshëm kuptim pyetja se sa nga liria që kemi fituar arrijmë ta jetojmë. Përvoja e njerëzve të zakonshëm të Kosovës me pushtetet e deritanishme, nuk i ka parë të vendosura mjaftueshëm ato kushte që forcojnë themelin e këtij vizioni historik, që brezi i sotëm dhe çdo brez i ardhshëm të mund ta përjetojnë konkretisht si qytetari patriotike.
Për të qenë një atdhe që përjetohet si i tillë, Kosova ka nevojë për një brez të ri qytetarësh të përgjegjshëm, që duan t’i japin kuptim jetës konkrete. Liria e fituar politikisht, duhet të bëhet liri e jetuar konkretisht.
Liria e jetuar konkretisht ka tri përmasa. Liria esenciale, si e drejtë e njeriut për të qenë autor i jetës së vet. Liria ekzistenciale, si mundësi për ta ushtruar atë të drejtë, për të menduar, për të vepruar sipas ndërgjegjes dhe për të zgjedhur pa iu nënshtruar vullnetit arbitrar të tjetrit. Liria materiale, si kusht që ia mundëson njeriut ta kthejë zgjedhjen në veprim, ku puna, prona, kapitali dhe mundësia për të ndërmarrë diçka i japin atij hapësirë për ta ndërtuar jetën sipas vendimeve të veta.
Një republikë e tillë, e fortë nga jashtë, e lirë nga brenda, me qytetarë të lirë e njëkohësisht të përgjegjshëm, me një ekonomi të lirë e të drejtë, me një terren mundësish e iniciativash që çlirojnë potencialin e njerëzve të saj të zakonshëm, mund të bëhet realiteti ynë i përditshëm. Ky realitet nis nga një parim që i vë një kufi moral pushtetit: Dinjiteti i njeriut nuk është objekt i koncesionit. Njeriu është qëllimi, ndërsa institucionet janë mjetet përmes të cilave ai e organizon dhe e mbron jetën e përbashkët.
Mbi këtë bazë, njeriu duhet të ketë mundësi ta ndryshojë raportin me kushtet e veta. Kjo për faktin se ai nuk e themelon vetveten nga asgjëja, pasi vjen në një botë që ka ekzistuar përpara tij, mëson një gjuhë që nuk e ka shpikur dhe trashëgon një histori që ka ndikuar në jetën e tij shumë përpara se ai të mund ta kuptonte.
Por fakti se jeta fillon në kushte të dhëna nuk do të thotë se ajo duhet të përfundojë si përmbushje e tyre. Vetëthemelimi shpreh pikërisht mundësinë që njeriu të marrë pjesë në përcaktimin e asaj që do të bëhet. Pikërisht në hapësirën ndërmjet asaj që njeriu trashëgon dhe asaj që arrin të bëjë, merr formë autorësia e tij mbi jetën. Një rend i drejtë e mbron këtë hapësirë, që prejardhja të mos bëhet dënim, varfëria të mos trashëgohet si fat dhe përparimi të mos varet nga afërsia me pushtetin.
Por si mund të bëhet Kosova e reflektimeve tona atdheu ynë i përditshëm?
Me një paradigmë të re mbi shtetin, mbi pushtetin, mbi njeriun si autor të jetës së tij, si dhe mbi marrëdhënien ndërmjet tyre. Me një botëkuptim të ri të qytetarisë si ushtrim i lirisë me përgjegjësi, që nuk mund të prodhojë e as të tolerojë pushtete të papërgjegjshme. Me një frymë të re republikane e progresive, që nuk ndërton dhe as nuk i shërben kultit të askujt e të asgjëje, përveçse i shërben njeriut të lirë e autonom në jetën e tij private dhe artikulimit të patriotizmit të tij në sferën publike, në mbështetje të vizionit historik të atdheut.
Gjithë kësaj, natyrisht, i paraprin një emancipim politik që nxit një vullnet politik, i cili shtron nevojën për një organizim të veçantë politik, të mbështetur në besnikërinë ndaj ideve progresive dhe të çliruar nga besnikëritë tradicionale.
Një emancipim i tillë është domosdoshmëri. Një vullnet i tillë tashmë ekziston. Besoj se në Kosovë ka ardhur koha që ky botëkuptim të marrë edhe formë politike. E shoh atë në një të djathtë republikane që mbron pronën dhe iniciativën e qytetarit, e mban pushtetin brenda kufijve të ligjit dhe i kërkon llogari për mënyrën se si e ushtron autoritetin.
Arsyeja për t’u angazhuar është e thjeshtë. Liria e fituar duhet të bëhet liri e jetuar.



