Ballazhi: Institucionet nuk kanë qenë në nivel të detyrës për t’i ndihmuar krerët e UÇK-së në Hagë
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit dhe ish-komandanti i UÇK-së, Mehmet Ballazhi, ka kritikuar angazhimin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të procesit gjyqësor në Hagë dhe të ish-krerëve të UÇK-së.
Ballazhi ka thënë se institucionet nuk kanë qenë në nivelin e duhur të angazhimit për këtë proces, duke shtuar se, sipas tij, veprimet e qeverisë kanë qenë të kundërta me mbështetjen që është dashur t’u ofrohej ish-krerëve të UÇK-së.
“Jo aq sa duhet. Ose më mirë të them nuk kanë qenë fare në nivel të detyrës për ta ndihmuar procesin në Hagë dhe krerët e UÇK-së. Shteti do të duhej të ishte i angazhuar maksimalisht edhe për demaskimin e dëshmive të rreme që janë deponuar në Hagë. Unë nuk jam i kënaqur me angazhimin e shtetit. Fare nuk ka pasur angazhim të bartësve të institucioneve për ta mbrojtur luftën çlirimtare. Duke i mbrojtur ata burra, do të mbrohej shteti i Kosovës dhe pastërtia e luftës për liri dhe pavarësi. Falë luftës së UÇK-së, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Fatkeqësisht mund të them se veprimet e qeverisë kanë qenë të kundërta”, ka thënë Ballazhi në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka ngritur dyshime edhe për deponimin e dëshmive në Hagë nga persona që kanë mbajtur pozita institucionale.
“Sipas saj që është raportuar në medie, shihet se ka pasur edhe deponime të dëshmive të rrejshme edhe nga bartës institucionalë. Ne i kemi dëgjuar edhe në Kuvend se si në të kaluarën janë etiketuar krerët e UÇK-së. Po ashtu, vetë njerëzit e pushtetit kanë pranuar që kanë deponuar dosje në Hagë. Dhe kjo të bën të dyshosh se angazhimi institucional nuk ka qenë në mbështetje të krerëve të UÇK-së, por më shumë kundër tyre”, ka thënë ai.
Ballazhi ka folur edhe për atë që e ka cilësuar si urrejtje ndaj krerëve të UÇK-së, duke thënë se kontributi i tyre në luftën për liri nuk mund të fshihet.
“Besoj se këtu kemi të bëjmë me një urrejtje të paarsyeshme kundër krerëve të UÇK-së. Po ashtu, kjo urrejtje ka të bëje edhe me faktin se ata dëshirojnë ta kenë një vend në histori pa asnjë mëritë. Kjo mendoj se është arsyeja. Djemtë dhe vajzat e UÇK-së e kanë shkruar historinë e Kosovës me luftën dhe sakrificën e tyre sublime. Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet as nga Gjykata Speciale dhe as nga dikush tjetër”, ka thënë Ballazhi.



