Zgjedhjet në Bërvenicë, VMRO-DPMNE-ja kritikon VLEN-in: E humbët mundësinë të tregoni se jeni ndryshe nga BDI-ja

03 nëntor 2026 | 13:12

Rezultati i zgjedhjeve nuk do të ndikojë në funksionimin e koalicionit qeveritar, i cili vazhdon të mbetet i bazuar në programin e përbashkët qeverisës. Ndërkaq, VLEN-i e ka humbur mundësinë për të treguar se dallon nga BDI-ja dhe, në vend që të distancohej nga retorika etnike, ka zgjedhur të veprojë në të kundërtën.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, në një intervistë për “TV 24”.

“Ne zhvilluam një fushatë jashtëzakonisht pozitive dhe bashkuese. Dolëm me program dhe ky është parimi mbi të cilin punojmë dhe kërkojmë besimin e qytetarëve. ‘Një Bërvenicë për të gjithë’ për ne do të mbetet më shumë se një slogan, është një koncept mbi të cilin do të vazhdojmë të punojmë edhe si Qeveri, duke e mbështetur komunën me projekte”, ka theksuar Miteva.

Ajo ka shtuar se VMRO-DPMNE-ja nuk ka zhvilluar politikë kalkuluese.

“VLEN-i doli me kandidat të vetin që në raundin e parë. Nëse pyetja është nëse kjo reflektohet në ndonjë mënyrë në koalicionin brenda Qeverisë, përgjigjja ime është jo, sepse ky koalicion qeveritar bazohet në programin e përbashkët dhe institucionet duhet të vazhdojnë zbatimin e tij. VLEN-i pati mundësinë të tregonte se është ndryshe nga BDI-ja, të largohej nga retorika etnike dhe të paraqitej në një dritë tjetër, por e humbi këtë mundësi dhe vendosi të veprojë në të kundërtën”, ka deklaruar Miteva.

Ajo ka përshëndetur vullnetin e qytetarëve, por ka thënë se gjatë zgjedhjeve janë parë edhe aeroplanë të mbushur me njerëz që kishin ardhur për të votuar.

“Nuk mund të luftojmë kundër demografisë. Ne mbetemi të përkushtuar dhe jam e sigurt për atë që kemi thënë: se me kandidatin tonë, Stojanço Radiçevskin, komuna e Bërvenicës do të kishte pasur vërtet zhvillim”, ka përfunduar Miteva.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se Trupi Gjykues,…