Muhaxheri pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Do të bashkëpunoj me drejtësinë për zbardhjen e rastit
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.
Muhaxheri ka thënë se kjo tragjedi i ka tronditur të gjithë dhe se vrasja e Zekajt, përveç dhimbjes së madhe për familjen, përbën një kambanë të fortë alarmi për shoqërinë dhe mekanizmat institucionalë.
“Pasi pamë shqetësimet dhe thirrjet e saj të fundit publike e institucionale, kemi kërkuar menjëherë një pasqyrë dhe verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet tona kanë pasur në këtë rast. Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë. Si kryetar i Komunës së Pejës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë qytetarëve. Angazhimi ynë për të mbrojtur gratë dhe për të siguruar që asnjë thirrje për ndihmë të mos mbetet e padëgjuar do të jetë i palëkundur, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë për të zbardhur plotësisht çdo detaj të këtij rasti”, ka shkruar Muhaxheri në “Facebook”.



