‘Ke qenë pjesë e kabinetit të Kuçit’, Bajrami përplaset me Qorrollin në Kuvend

11 nëntor 2026 | 16:33

Përplasje të ashpra janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë seancës për Raportin e Progresit.

Përplasja nisi pas deklaratave të Qorrollit për sundimin e ligjit, për çka Bajrami ka thënë se Qorrolli kishte qenë vazhdimisht pjesë e pushtetit dhe se nuk mund të paraqitej si i shkëputur nga qeveritë e mëhershme.

Kjo nxiti reagimin e Qorrollit, i cili e akuzoi deputeten e LDK-së për pavërtetësi dhe deklarata të rreme.

“Zonja Bajrami, me shumë kallauzë dhe shumë të pavërteta po flet gjëra që nuk i besoj as vetë. Kjo është e turpshme për një profesoreshë universiteti, e cila gënjen kaq hapur në institucionin kryesor të kësaj demokracie. Nuk e kuptova prekjen e setrës sonë kur iu referova krahut të djathtë dhe të majtë. Unë tregova për çështje empirike që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Unë, sikurse ti, jam mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe kam mundësi t’iu ofroj shërbimet e mia profesionale cilësdo qeveri që më thërret. Ndërkaq, për herë të parë, në vitin 2023 jam emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, e në shkurt të këtij viti jam zgjedhur deputet”, ka thënë ai.

Bajrami e ka kundërshtuar akuzën se kishte gënjyer dhe më pas ka ngritur pretendime lidhur me një rast të Qorrollit në Universitetin e Prishtinës.

“Zotëri Qorrolli, asnjëherë në jetë nuk kam gënjyer. Thashë që ke qenë pjesë e qeverive të mëhershme dhe nuk je ulur kurrë as majtas dhe as djathtas. Je ulur në mes, se të ka pëlqyer të jesh me pozitën. Ke qenë pjesë e kabinetit të Hajredin Kuçit. Pikë. Nuk mundesh me demantu dhe ky është sekret publik. Sa i përket Universitetit të Prishtinës, për të folur për atë duhet me tregu se si je zënë në flagrancë me një provim dhe po më vjen keq”, ka thënë ajo.

Në debat ka ndërhyrë edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i cili ka pretenduar se Bajrami, përmes përplasjes me Qorrollin, po synonte të sulmonte shefen e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Denis Jusufi shpalle te pavlefshme diplomën dhe dëftesat e vitit I,…