Ariani Company hap fabrikën e re në Vushtrri, Idrizi: Investim që fuqizon prodhimin dhe ekonominë lokale
Ariani Company po zgjeron kapacitetet prodhuese me fabrikën e re për prodhimin e dyerve dhe dritareve, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e kompanisë.
Në hapjen e fabrikës së re të Ariani Company mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili vlerësoi këtë investim si një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit. Përmes këtij investimi, kompania po zgjeron kapacitetet e saj prodhuese, duke dëshmuar përkushtim ndaj zhvillimit të vazhdueshëm, rritjes së cilësisë dhe përmbushjes së standardeve gjithnjë e më të larta në industrinë e dyerve dhe dritareve.
Kryetari Idrizi theksoi se investime të tilla kanë rëndësi të veçantë për Vushtrrinë, pasi përveç zhvillimit të bizneseve, ndikojnë edhe në fuqizimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për punësim. Ai përgëzoi drejtuesit e Ariani Company dhe familjen Imeri për këtë hap të rëndësishëm, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre afarist. Hapja e fabrikës së re përfaqëson një tjetër dëshmi të potencialit të bizneseve vendore dhe të rëndësisë së investimeve private në zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.



