Opinioni i kundërt për KRU ‘Hidrodrini’, kërkohet që raporti i auditimit të dërgohet në prokurori

11 nëntor 2026 | 12:14

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Hidrodrini” për vitin 2025, për të cilat Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kundërt. Gjatë diskutimit janë ngritur shqetësime për pasaktësitë në pasqyrat financiare, mosregjistrimin dhe mbivlerësimin e pasurive, miliona euro llogari të arkëtueshme, si dhe mungesën e kontrolleve të brendshme. Anëtari i komisionit, Eman Rrahmani, ka kërkuar që raporti të përcillet në Prokurori për trajtim të mëtejmë.

Gjatë prezantimit të raportit, kryesuesi i komisionit, Besian Mustafa, ka paraqitur gjetjet kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke theksuar se ndërmarrja ka marrë opinion të kundërt për pasqyrat financiare të vitit 2025.

Sipas raportit, ndër problemet e evidentuara janë mosregjistrimi dhe mbivlerësimi i pasurive, pasaktësitë në llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme, trajtimi jo i duhur i të hyrave nga grantet, mungesa e evidencave dhe shpalosjeve të nevojshme, si dhe dobësitë në menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm.

Raporti për vitin 2025 ka rezultuar me gjithsej 14 rekomandime, prej të cilave dy janë të reja, tetë të përsëritura nga viti paraprak dhe katër pjesërisht të përsëritura.

Ndërkaq, nga 18 rekomandimet e raportit të auditimit për vitin 2024, deri në përfundim të auditimit të vitit 2025, vetëm katër ishin zbatuar, tetë nuk ishin zbatuar, katër ishin zbatuar pjesërisht, ndërsa dy nuk ishin më të aplikueshme.

Një nga gjetjet kryesore të auditimit lidhet me pasuritë afatgjata të ndërmarrjes. Në pasqyrën e pozitës financiare, KRU “Hidrodrini” kishte prezantuar pasuri në vlerë prej rreth 39 milionë eurosh, ndërsa sipas regjistrit të pasurisë, vlera ishte rreth 38 milionë euro. Diferenca e identifikuar nga auditorët ishte 1 milion e 45 mijë e 549 euro.

Sipas raportit, procesi i fundit i vlerësimit të pasurive nga ndërmarrja ishte realizuar në vitin 2005. Në regjistrin e pasurisë figurojnë 2 mijë e 765 asete, të cilat në librat kontabël kanë vlerë neto zero, ndërsa kostoja e tyre historike arrin në 3 milionë e 95 mijë e 291 euro.

Megjithatë, këto pasuri vazhdojnë të jenë aktive, pa iu nënshtruar vlerësimit dhe rishikimit të jetëgjatësisë së tyre. Po ashtu, investimet në projektin e ujësjellësit dhe kanalizimit në zonat rurale, faza e gjashtë, në vlerë prej 345 mijë e 588 eurosh, nuk ishin regjistruar në regjistrin e aseteve të ndërmarrjes.

Mbi një milion euro diferencë në llogaritë e arkëtueshme

Probleme të theksuara janë evidentuar edhe në llogaritë e arkëtueshme. Sipas raportit të auditimit, vlera e paraqitur në pasqyrat financiare nuk ishte e saktë dhe kishte mbivlerësim.

Nga krahasimi i listës analitike të llogarive të arkëtueshme me shënimin gjashtë të pasqyrave financiare, auditorët kanë identifikuar një diferencë prej 1 milion e 26 mijë e 714 eurosh.

Sipas listës analitike, llogaritë e arkëtueshme arrinin në 16 milionë e 161 mijë e 714 euro, ndërsa në shpalosjet e pasqyrave financiare ishin paraqitur në vlerë prej 17 milionë e 188 mijë e 428 eurosh.

Një tjetër problem lidhet me pagesat e konsumatorëve. Arkëtimet në vlerë prej 199 mijë e 988 eurosh nuk u ishin zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, por ishin regjistruar me përshkrimin “konsumator i paidentifikuar”.

Sipas auditorëve, ndërmarrja që nga viti 2015 nuk kishte bërë provizionimin e llogarive të arkëtueshme, ashtu siç kërkohet nga standardet përkatëse. Nga vlera bruto prej 17 milionë e 188 mijë e 428 eurosh, mbi 97 për qind e llogarive të arkëtueshme ishin më të vjetra se një vit, ndërsa ndërmarrja nuk kishte bërë njohjen e humbjeve të pritshme.

Pasaktësi edhe në llogaritë e pagueshme dhe grantet

Raporti ka evidentuar pasaktësi edhe në llogaritë e pagueshme. Në pasqyrat financiare, ndërmarrja kishte paraqitur detyrime në vlerë prej 346 mijë e 944 eurosh.

Megjithatë, nga analiza e bilancit vërtetues, auditorët kanë identifikuar se në këtë pozicion ishin përfshirë detyrime në vlerë prej 179 mijë e 189 eurosh dhe parapagime në vlerë prej 526 mijë e 129 eurosh.

Për më tepër, gjatë vitit 2025 ndërmarrja nuk kishte kryer harmonizime periodike me furnitorët, duke bërë që llogaritë e pagueshme të mos pasqyronin saktë gjendjen e tyre.

Sa u përket granteve, të hyrat e shtyra nga grantet ishin mbivlerësuar për 950 mijë e 494 euro, ndërsa të hyrat nga grantet në pasqyrën e të ardhurave ishin nënvlerësuar për 430 mijë e 490 euro.

Duke raportuar para komisionit në emër të bordit të drejtorëve, kryesuesja Qendresa Kukaj ka thënë se bordi aktual është mbledhur më 3 prill 2026 dhe se periudha për të cilën është hartuar raporti i auditimit nuk përkon me kohën kur anëtarët aktualë kanë qenë në detyrë.

Ajo ka deklaruar se pas marrjes së detyrës dhe pranimit të raporteve të auditimit nga menaxhmenti, bordi ka filluar shqyrtimin e secilës gjetje dhe ndërmarrjen e veprimeve për trajtimin e tyre.

“Si bord jemi mbledhur me datën 3 prill 2026, domethënë raportojmë për një periudhë për të cilën ne nuk kemi qenë anëtarë të bordit. Megjithatë, me marrjen e detyrës dhe me pranimin e raporteve të auditimit, të cilat na janë dërguar nga zyrtarët e kompanisë, nga menaxhmenti i kompanisë, kemi filluar menjëherë punën edhe po i kalojmë me radhë secilën prej çështjeve, secilën prej gjetjeve, për të raportuar se çka saktësisht kemi bërë dhe deri ku ka arritur progresi në trajtimin e këtyre gjetjeve”, ka deklaruar Kukaj.

Ajo ka thënë se njëra prej gjetjeve që tashmë është trajtuar plotësisht lidhet me mosparaqitjen e kontratave në sistemin e prokurimit elektronik.

“Sa i përket gjetjes së parë, lidhur me mosparaqitjen e kontratave në e-prokurim, kjo është trajtuar. Të gjitha kontratat menaxhohen përmes sistemit të e-prokurimit. Ne mund të ofrojmë dëshmi për këtë nëse kërkohen prej komisionit dhe pastaj ua përcjellim me email. Kjo gjetje është trajtuar plotësisht”, ka thënë ajo.

Kukaj ka bërë të ditur se është trajtuar edhe çështja e mungesës së komisionit të auditimit, pasi pas emërimit të bordit në prill është emëruar edhe ky komision, më 21 prill.

“Gjetja e dytë, sa i përket mungesës së komisionit të auditimit, natyrisht kjo është e trajtuar, për shkak se me emërimin e bordit në muajin prill, pastaj më datën 21 prill është emëruar edhe komisioni i auditimit. Ata kanë filluar punën në monitorimin e punës së zyrtares për auditim të brendshëm dhe gjithashtu në aprovimin e raporteve të cilat i ka paraqitur ajo. Kështu që konsiderojmë që edhe kjo gjetje është trajtuar në tërësi”, ka deklaruar Kukaj.

Sa i përket regjistrimit jo të saktë të aseteve, kryesuesja ka thënë se kjo çështje është trajtuar pjesërisht, pasi menaxhmentit i është kërkuar të fillojë mbledhjen e dokumentacionit dhe dëshmive për pasuritë e ndërmarrjes.

“Gjetja e tretë, regjistrimi jo korrekt i aseteve, kjo është trajtuar pjesërisht, për shkak se menjëherë i është kërkuar menaxhmentit që të fillojë me gjetjen e dokumenteve, dëshmive për pasuritë të cilat i kemi në dispozicion dhe në paraqitjen e saktë dhe të drejtë të tyre në pasqyrat financiare. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që kompania aktualisht është në procesin e përzgjedhjes së një zyrtari të ri kryesor financiar dhe një pjesë e madhe e gjetjeve që i kemi në këtë raport janë kryesisht gabime teknike të shkaktuara nga mungesa e dijes ose kompetencës së zyrtarit kryesor financiar të kaluar në raportimin e tyre. Po shpresojmë shumë që me përzgjedhjen e një zyrtari të ri kryesor financiar edhe këto gjetje do të eliminohen”, ka thënë ajo.

Kukaj ka bërë të ditur se tri gjetje janë trajtuar plotësisht, gjashtë të tjera janë në proces të trajtimit dhe kanë shënuar progres, ndërsa pesë pritet të trajtohen gjatë përpilimit të pasqyrave të reja financiare.

Një çështje tjetër e ngritur nga kryesuesja e bordit lidhet me pronat e paidentifikuara dhe nevojën për saktësimin e pronësisë së tyre.

Ajo ka thënë se menaxhmenti ka përgatitur listën e plotë të pronave të ndërmarrjes, por procesi i identifikimit dhe dokumentimit të tyre mbetet i hapur, për shkak të ndërlikimeve pronësore që lidhen edhe me periudhat e mëhershme.

“Sa i përket gjetjes tjetër, asaj me pronat e paidentifikuara, kemi kërkuar nga menaxhmenti dhe me këtë rast kryeshefi e ka krijuar listën e plotë të pronave të kompanisë. Megjithatë, vlen të përmendet këtu që kjo është ende në proces dhe pritet që ndoshta të kemi edhe pak probleme lidhur me këtë, për shkak se pronat aktuale të kompanisë lidhen edhe me çështjet pronësore ndërmjet komunave, statusin e pronësisë gjatë kohës së ish-Jugosllavisë e të tjera. Kështu që këtu presim të kemi pak komplikime, por jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka deklaruar Kukaj.

Ajo ka bërë me dije se në mbledhjen e Kuvendit të Aksionarëve, të mbajtur më 3 nëntor 2026, është diskutuar edhe mundësia e kontraktimit të një kompanie të pavarur për rivlerësimin e pasurive të ndërmarrjes.

“Gjithashtu, në mbledhjen e Kuvendit të Aksionarëve, e cila është mbajtur më datën 3 nëntor 2026, është diskutuar edhe mundësia e kontraktimit të një kompanie të pavarur të jashtme, e cila do të bëjë rivlerësimin e pasurive. Do të thotë edhe këtu kemi progres, por pritet që deri në fund të vitit edhe kjo të trajtohet në plotni”, ka thënë ajo.

Duke folur për shumën prej 199 mijë e 988 eurosh të regjistruar si pagesa nga konsumatorë të paidentifikuar, Kukaj ka thënë se kjo gjetje është trajtuar pjesërisht.

Sipas saj, një pjesë e këtyre pagesave lidhet me institucione publike, si shkollat dhe universiteti, të cilat pagesat i realizojnë përmes Thesarit, shpesh duke paguar shuma të përgjithshme pa specifikuar faturën dhe institucionin përkatës.

“Sa i përket gjetjes tjetër, të konsumatorëve të paidentifikuar, edhe kjo është trajtuar pjesërisht. Mirëpo, këtu vlen të përmendet që një pjesë e tyre që janë të regjistruar si konsumatorë të paidentifikuar vijnë nga konsumatorët më të mëdhenj, siç janë shkollat dhe universiteti, të cilat paguhen nga Thesari. Është praktikë e tyre që gjithë shumën e faturave ta paguajnë njëherësh, pa e përcaktuar se cila faturë për cilin institucion po paguhet, për cilën shkollë apo për universitetin”, ka deklaruar ajo.

Kukaj ka thënë se kryeshefi ekzekutiv është takuar me përfaqësues të universitetit, komunave dhe shkollave, për t’u kërkuar që pagesat të realizohen sipas faturave përkatëse.

Një tjetër problem, sipas saj, është ngatërrimi i pagesave mes KRU “Hidrodrini” dhe kompanisë “Hidroregjioni Jugor”, për shkak të ngjashmërisë së emrave.

“Gjithashtu, shpeshherë ndodh që për shkak të emrit të ngjashëm me Hidroregjionin Jugor dhe Hidrodrinin, në rast të pagesave qytetarët e zgjedhin gabimisht. Për shembull, ata që janë drejtuar për të paguar te Hidroregjioni, e zgjedhin Hidrodrinin dhe anasjelltas. Kështu që kryeshefi ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e Hidroregjionit për t’i evidentuar konsumatorët dhe për të parë nëse ka ndonjë përputhje se cilët mund të kenë qenë konsumatorët e tyre”, ka thënë Kukaj.

Ajo ka shtuar se gjatë këtij viti ka filluar edhe zbatimi i mundësisë së pagesave direkte përmes uebfaqes së KRU “Hidrodrini”, ku konsumatorët mund të kyçen me numrin e tyre identifikues.

“Gjithashtu, këtë vit kemi filluar edhe me implementimin e opsionit të pagesave direkte nga uebfaqja e KRU ‘Hidrodrini’, siç e aplikon edhe KRU Prishtina, ku qytetarët hyjnë dhe kyçen me numrin e tyre të konsumatorit. Në këtë rast pamundësohet që ata ta paguajnë faturën e tyre për ndonjë konsumator tjetër dhe eliminohet ky gabim”, ka deklaruar ajo.

Para komisionit ka raportuar edhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidrodrini”, Dri Cena, i cili ka thënë se kur ishte zgjedhur në këtë pozitë, në qershor të vitit 2023, ndërmarrja nuk kishte pasur auditim nga Zyra Kombëtare e Auditimit për më shumë se pesë vjet.

Ai ka deklaruar se auditimet e mëhershme ishin realizuar nga auditorë privatë dhe se opinionet e tyre kishin dalluar ndjeshëm nga ato të ZKA-së.

“Në vitin 2023, unë jam zgjedhur në qershor kryeshef ekzekutiv. Ndërmarrja nuk ka pasur auditim nga ZKA-ja para asaj kohe, ndoshta më shumë se pesë vjet pa auditim. Auditimi i parë nga ZKA-ja ka qenë në vitin 2023. Gjetjet e auditimeve të mëparshme kanë qenë nga auditorë privatë, ku opinioni i auditorëve privatë ka qenë shumë drastikisht i dallueshëm nga ky i ZKA-së”, ka deklaruar Cena.

Ai ka thënë se nga viti 2023 deri në vitin 2025 janë shënuar përmirësime në ndërmarrje, duke pretenduar se shumica e gjetjeve të evidentuara lidhen me raportimin financiar dhe gabimet teknike të zyrtarit kryesor financiar, i cili, sipas tij, nuk kishte qenë i certifikuar.

“Edhe kemi filluar me gjetjet. Në krahasim me gjetjet që janë nga viti 2023 deri në vitin 2025, ka shumë përmirësime. Gjetjet kryesisht janë gjetje financiare, për shkak të zyrtarit kryesor financiar, i cili ka qenë i pacertifikuar. Ka pasur gabime teknike. Pasqyrat financiare janë kontraktuar nga persona të tjerë të certifikuar dhe gjetjet kryesisht janë gjetje financiare”, ka thënë ai.

Sa i përket kontratave me konsumatorët, Cena ka thënë se ndërmarrja ka bërë përpjekje për rritjen e numrit të tyre, por se konsumatorët, sipas tij, hezitojnë të lidhin kontrata.

“Për sa u përket kontratave, kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për të bërë kontrata. Kemi gjetur një numër shumë të vogël të kontratave me konsumatorë. Siç e tha edhe kryesuesja, ata hezitojnë shumë të bëjnë kontrata. Ne bëjmë përpjekje vazhdimisht për të bërë kontrata dhe po mundohemi”, ka deklaruar Cena.

Gjatë diskutimit, anëtari i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, ka vlerësuar se gjetjet e auditimit janë shqetësuese dhe se raporti duhet të përcillet në Prokurori për shqyrtim.

Ai ka ngritur dyshime lidhur me saktësinë e pasqyrave financiare të ndërmarrjes dhe ka thënë se diferenca prej mbi një milion eurosh në llogaritë e arkëtueshme kërkon trajtim të mëtejmë.

“Raporti është shqetësues dhe unë edhe si komision duhet ta dërgojmë dhe të kërkojmë prej këtu që Prokuroria të merret me këtë raport, për shkak se pasqyrat nuk janë të vërteta, sipas asaj që ka paraqitur në bilancin e saj kompania. Domethënë, ka vend për hetim, mbi të gjitha në këtë kompani”, ka deklaruar Rrahmani.

Ai ka kritikuar edhe vazhdimësinë e problemeve në ndërmarrje, duke përmendur ndryshimet e bordeve ndër vite dhe faktin se, sipas tij, pavarësisht emërimeve të reja, gjetjet e auditimit kanë vazhduar të përsëriten.

“Qeveria është në emërimin e tretë të këtij bordi. E ka bërë në vitin 2023, pastaj në vitin 2024 dhe këtë në vitin 2026. Domethënë, janë tri palë borde të cilat janë përcjellë nga ky pushtet dhe prapë janë gjetje të cilat nuk kanë arritur t’i përmirësojnë dhe ta çojnë në binarë këtë kompani”, ka thënë ai.

Rrahmani ka theksuar se diferenca e identifikuar në llogaritë e arkëtueshme është një prej çështjeve që duhet të sqarohet, duke argumentuar se qytetarët duhet të kuptojnë konkretisht se çfarë ka konstatuar auditori.

“Këtu janë probleme tepër të mëdha. Paramendojeni: kompania nuk i ka paraqitur saktë dhe, në bazë të auditimit që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit, ka gjetur te llogaritë e arkëtueshme diferencë prej mbi një milion euro që nuk përputhen. Ose ka mashtruar kompania, ose në çfarëdo lloj mënyre tjetër, ne duhet ta çojmë këtë çështje për trajtim. Sepse këtu, në termat e auditorit, nëse flasim, as nuk na kuptojnë qytetarët, pasi nuk janë të gjithë ekonomistë apo auditorë. Mirëpo, kur Zyra Kombëtare e Auditimit e ka audituar këtë kompani, ka gjetur se këta nuk e kanë paraqitur saktë dhe ka dalë një diferencë mbi një milion euro në llogaritë e arkëtueshme, në mënyrën se si i ka paraqitur kompania në pasqyrat financiare”, ka deklaruar Rrahmani. /Ekonomia Online

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e…