Takohen drejtuesit e BQK-së dhe BERZH-it, në fokus reformat në sektorin financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, priti në takim Grzegorz Zielinski, drejtor menaxhues për Evropën Juglindore i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili shoqërohej nga drejtor i BERZH-it për Kosovën, Sergiy Maslichenko.
Në takim u diskutuan reformat kryesore në sektorin financiar të Kosovës dhe bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe BERZH-it në zbatimin e tyre.
Vëmendje e veçantë iu kushtua asistencës teknike të BERZH-it për hartimin e rregulloreve që rrjedhin nga Ligji për Bankat dhe zbatimin e kornizës për rimëkëmbjen dhe përmbylljen e bankave. B
ashkëbiseduesit diskutuan edhe për projektin e mbështetur nga BERZH-i për përafrimin e mëtejshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse bankare me standardet e Bashkimit Evropian, në funksion të integrimit financiar evropian të Kosovës.
Në kuadër të bashkëpunimit për zgjerimin e qasjes në financa, u vlerësua nisma “WE Finance Code”, të cilën BQK-ja e koordinon në nivel vendi me mbështetjen e BERZH-it për të përmirësuar qasjen në financa për gratë ndërmarrëse.
U diskutua gjithashtu për mbështetjen e BERZH-it për nismat mjedisore, përfshirë financimin e gjelbër, si dhe për forcimin e kapaciteteve profesionale të BQK-së në fusha të specializuara, ndër to tregjet e kapitalit.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mbështetjen e BERZH-it për projektet në sektorin financiar dhe ato publike infrastrukturore në Kosovë dhe kontributin e këtyre projekteve në zhvillimin ekonomik të vendit.
Guvernatori Ismaili e falënderoi Zielinskin për mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it ndaj Kosovës dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të BQK-së me Zyrën e BERZH-it në Kosovë.



