ASK: Në Kosovë kishte 48 mijë e 506 ndërmarrje aktive gjatë vitit 2025, shënohet rënie prej 4 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2025, sipas së cilave në Kosovë ishin gjithsej 48 mijë e 506 ndërmarrje aktive në sektorët ekonomikë të përfshirë në hulumtim.
Sipas ASK-së, numri i ndërmarrjeve aktive ka shënuar rënie prej 4 për qind krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, rritje është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ku numri i ndërmarrjeve është rritur për 30,1 për qind.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të punësuarve në këta sektorë ka arritur në 294 mijë e 254, duke shënuar rritje prej 0,4 për qind krahasuar me vitin paraprak. Rënie e punësimit është evidentuar në sektorin e ndërtimtarisë, me 11,1 për qind.
Sa i përket qarkullimit, ndërmarrjet në Kosovë kanë realizuar rritje prej 6,1 për qind gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024. Rritja më e madhe e qarkullimit sipas sektorëve është shënuar në shërbimet e tjera, me 13,9 për qind.
Rritje është regjistruar edhe te pagat mesatare, të cilat kanë shënuar normë rritjeje prej 11,1 për qind. Sipas të dhënave të ASK-së, paga mesatare bruto në sektorët e përfshirë në anketë ka arritur në 658 euro në vitin 2025, nga 354 euro sa ishte në vitin 2015.
Paga mesatare më e lartë është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ndërsa më e ulëta në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve me ushqim.
Në anën tjetër, shpenzimet e ndërmarrjeve kanë shënuar rritje prej 6,6 për qind gjatë vitit 2025.
Sipas shpërndarjes së ndërmarrjeve në sektorët ekonomikë, pjesën më të madhe e përbën tregtia me shumicë dhe pakicë, me 33,7 për qind.
Pas saj renditen aktivitetet e shërbimeve të tjera me 22,1 për qind, prodhimi me 14,6 për qind, ndërtimtaria me 11,2 për qind dhe akomodimi e shërbimet me ushqim me 10,3 për qind.
Ndërsa, sa i përket punësimit, tregtia prin me 32,4 për qind të të punësuarve, e ndjekur nga prodhimi me 17,8 për qind, shërbimet e tjera me 15,4 për qind dhe ndërtimtaria me 10 për qind.
ASK bën të ditur se pjesën më të madhe të qarkullimit të ndërmarrjeve e përbën sektori i tregtisë, me rreth 51,7 për qind. Përqindjen më të vogël e kanë xehetaria dhe gurëthyesit, me 0,7 për qind, si dhe furnizimi me ujë, kanalizimi dhe menaxhimi i mbeturinave, me 0,6 për qind.
Anketa nuk përfshin sektorët e bujqësisë, pylltarisë, peshkimit, financave, arsimit, shëndetësisë, aktiviteteve të ekonomive familjare dhe administratës publike.



