Quni: U linçova për djalin, ai e ka pasaportën kroate, ku shërbimi ushtarak është i obligueshëm

12 nëntor 2026 | 11:19

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas kritikave të adresuara ndaj tij lidhur me shërbimin ushtarak të djalit të tij në Kroaci, duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe manipulative.

Në foltoren e kuvendit, ai tha se djali i tij, Dritoni, nuk është dërguar në ushtrinë kroate përmes ndikimit politik apo privilegjeve, transmeton IndeksOnline.

Sipas tij, djali i tij ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por gëzon edhe shtetësinë kroate, gjë që e obligon ligjërisht t’i nënshtrohet shërbimit ushtarak në Kroaci.

“Ai nuk është dërguar me asnjë ndikim politik, privilegj apo proteksion. Si çdo shtetas tjetër i Kroacisë, ai i nënshtrohet bazës ligjore për shërbimin obligativ ushtarak”, deklaroi Quni.

Deputeti hodhi poshtë edhe pretendimet se shërbimi ushtarak i djalit të tij është financuar nga taksapaguesit e Kosovës.

“Asnjë cent i taksapaguesve të Kosovës nuk është shpenzuar për këtë çështje. Të gjitha shpenzimet dhe detyrimet mbulohen nga shteti kroat, sipas ligjeve të tyre”, tha ai.

Quni reagoi edhe ndaj kritikave se djali i tij nuk iu bashkua Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se FSK-ja është ushtri profesionale dhe nuk bazohet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“FSK-ja nuk funksionon mbi parimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por është ushtri profesionale që rekrutohet përmes konkursit publik”, u shpreh ai.

Quni tha po ashtu se në qoftë se lind nevoja, djali i tij është mëse i gatshëm për të shërbyer në ushtrinë e Kosovës, kurdo që të jetë e nevojshme.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Xhaketa e legjendës së muzikës “Pop”, Michael Jacksonit të cilën…