PDK-ja kërkon rrëzimin e vetos së presidentes për Ligjin për Specialen, LVV-ja kundërshton
Komisioni për Legjislacion ka proceduar në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pa ndryshime në përmbajtjen e tij, pas mospajtimeve mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për mënyrën se si duhet të trajtohet vendimi i Presidentes për kthimin e ligjit në rishqyrtim.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që ligji aktual të rivotohet në Kuvend dhe të rrëzohet vetoja e Presidentes, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi.
Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje për trajtimin e mëtejmë të ligjit, por palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij në këtë fazë.
“Ka pasur negociata me LV-në për mënyrën se si do ta trajtojmë Ligjin për Specialen. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Sipas saj, mospajtimet kanë ardhur si pasojë e interpretimeve të ndryshme të Rregullores së Kuvendit. Ajo ka thënë se PDK-ja ka konsideruar të mundur amendamentimin e ligjit në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk lejohet.
“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka theksuar se versioni aktual duhet të rivotohet në Kuvend, ndërsa për miratimin e tij dhe rrëzimin e vetos së presidentes nevojiten 61 vota.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kundërshtuar votimin e të njëjtit version të ligjit, duke kërkuar që çështja të trajtohet përmes një nisme të re ligjore.
Ai ka vlerësuar se vetë sponsorizuesi i ligjit ka identifikuar shqetësime në përmbajtjen e tij dhe se zgjidhja duhet të jetë hartimi i një ligji të ri.
“Sponsorizuesi vetë e ka iniciuar Ligjin, është pikërisht sponsorizuesi që vetë ka kërkuar kthimin e Ligjit nga presidentja me arsyetimet e përgjithshme dhe natyrisht është në dorën e sponsorizuesit për t’i dhënë epilog të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm. Ne jemi në një rrethanë të tillë për ligjbërje të re, për ligj të ri, duke i dhënë besimin sponsorizuesit se ka identifikuar defekte në Ligj. Ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin, marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Jemi për një nismë të re ligjore”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka shtuar se një proces i ri ligjvënës do të mundësonte adresimin e shqetësimeve pa përsëritur procedurat dhe pa humbur kohë. Megjithatë, sipas tij, vendimi përfundimtar i takon Kuvendit.
“Thjesht jemi për një nismë të re ligjore duke i adresuar shqetësimet, duke mos i përsëritur procedurat dhe të humbet kohë. Gjithsesi Kuvendi do t’i japë epilogun përfundimtar, është në dorën e tyre për të vendosur për rivotimin e Ligjit të ri apo për të qëndruar në fuqi vetoja e presidentes”, është shprehur Rrustemi.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se e mbështesin kërkesën e PDK-së për procedimin e ligjit, duke kërkuar nga qeveria dhe Kuvendi që procesi i ri i amendamentimit të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur.



